19:36 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / C E

Reagon Feronikeli: Tre pikë që i mori gjyqtari me vete

Feronikeli mori një pikë në udhëtim te Drita me një gol të anuluar për pozicion jashtë loje e në fakt duhej të ishte i rregullt.

Menjëherë pasi gjyqtari e anuloi golin e Niklit, Drita barazoi rezultatin në 1-1 për të marrë një pikë dhe për të krijuar reagime të shumta në opinionin sportiv të Kosovës.

Edhe Feronikeli ka reaguar përmes një shkrimi në faqen zyrtare të klubit.

Ky është shkrimi i tyre:

Tre pikë që i mori gjyqtari me vete

Sot, më 24 nëntor 2020, në Gjilan, ishim dëshmitar të një referimi tendencioz, skandaloz e mbi të gjitha të njëanshëm.

Drita – Feronikeli, përfundoi baras, megjithatë fituan gjyqtarët por humbi futbolli kosovar.

Anulohet goli i pastër për pozitë jashtë loje që nuk ekzistoi.

Nuk akordohet penalti për prekje me dorë brenda zonës.

Ndëshkime të panumërta me kartonë, ndër ta edhe një i kuq.

E shumë e shumë incidente tjera, që prishën futbollin, që turpëtuan Supërligën, e që bënë që të vjellin qindra mijëra adhurues të futbollit.

Burim Jahmurataj, Edmond Zeqiri e Fatmir Sekiraqa, së bashku me gjyqtarin e katërt (komplet inekzistent) Visar Kastrati, arkëtuan tri pikët e plota, të marrura nga djersa e futbollistëve tanë që derdhin në fushë, e djersa e donatorëve që japin shumë për futbollin.

Mjafton ti shohësh veturat e pallatet e gjyqtarëve kosovar, për të kuptuar se si ndodhin këto “gabime njerëzore”.

Nuk është hera e parë dhe nuk është vetëm klubi i Feronikelit që dëmtohet nga gjyqtarë që favorizohen nga FFK, me në krye, Agim Ademin. Kjo është e tepërt, është e turpshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme për futbollin e Kosovës. Përveç ankesës në FFK, Feronikeli do të dërgojë ankesë edhe në UEFA, ashtu siç dorëzuam ankesën për KFF Feronikeli.

Gjyqtarët e ndeshjes i paralajmërojmë që ky është vetëm fillimi i FC Feronikelit, pasi që ndeshje të tilla nuk do të ketë më. As edhe një! Kurrë!!!