22:32 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Reagon Haziri: Po qartësojmë ndarjen e pozitave, që në qeverinë LDK-VV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’

Nënkryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se duhet pasur durim pasi po ndërtohet koalicion në mirëbesim.

Sipas tij është punuar për më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK-së dhe VV-së, shkruan Indeksonline.

Haziri tha poashtu se nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, por me qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-VV, të mos ketë ‘bomba të kurdisura’.

Këtë reagim Haziri e bëri pasi tashmë aludohet për një ngërç të mundshëm në mes dy partive dhe bashkëpunimit të tyre për lidhjen e koalicionit qeverisës.

Madje problemi kyç thuhet të jetë ndarja e postit të ‘presidentit 2021’ si dhe udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila po kërkohet me ngulm nga LDK.

Postimi i plotë:

Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK’së dhe LVV’së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim. Kjo ka me qenë marrëveshje përtej një mandati. Nuk ka të bëj me emrat e përveçëm, porme qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’.