11:39 / E Hënë, 07 Nëntor 2022 / S Z

Reagon KMDLNj: Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar për zhvillimet e fundit në vend, lidhur me largimin e përfaqësuesve të Listës Serbë në institucionet qendrore si dhe në komunat veriore të vendit.

Në njoftimin e KMDLNj-së thuhet se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, ka qenë i planifikuar mirë dhe tabelat janë përdorur për të vënë në veprim, përshpejtimin e formimit të Asociacionit.

“Qeveria, ose është dashur të pranojë këtë shtyrje të afatit duke kërkuar garanca me shkrim, ose është dashur të mos e shtyjë për asnjë ditë të vetme. Realisht, është e qartë që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ka qenë i planifikuar mirë dhe tabelat janë përdorur për të vënë në veprim përshpejtimin e formimit të Asociacionit  e që tani e ka marrë formën e kushtëzimit, si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, thuhet në njoftim.

KMDLNj po ashtu propozon që Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare.

“KMDLNj nuk e ka të qartë nëse këtë e kanë dëgjuar ndërkombëtarët që po insistojnë në formimin e menjëhershëm të Asociacionit, pa e kushtëzuar apo ndërlidhur me njohje reciproke. Vetëm mund ta merrni me mend se si do të sillen udhëheqësit e komunave të përfshira në Asociacion, kur kompetencat e tyre do të jenë shumëfishë më të mëdha se që i kanë sot?! Prandaj, KMDLNj propozon që Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në njoftim.