19:47 / E Hënë, 22 Janar 2018 / k.v

Reagon Labinot Halilaj: Nuk e shkela ligjin, qytetarët i siguroi për qeverisje të drejtë

Pas publikimit të lajmeve se Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj ka shkelur aktet juridike gjatë drejtimit të mbledhjes së fundit, ka ardhur sqarimi i vet protagonistit.

Të premten e fundit, datë 19 janar, në ora 10:00, me kërkesën e disa grupeve kuvendare të opozitës thotë se ka thirrur seancën e jashtëzakonshme me piken e vetme të rendit të ditës që kanë kërkuar “Mosrespektimi i akteve juridike në Komunën e Drenasit”.

“Në seancë ka qenë kuorumi i mjaftueshëm për mbajtjen dhe zhvillimin e takimit. Sipas “Ligjit për vetëqeverisje lokale” neni 44 pika 44.5 i cili tekstualisht thotë kështu: “Procedurat e njëjta që kërkohen për njoftimin dhe çështjet e tjera që zbatohen për mbledhjet e rregullta, zbatohen për mbledhjen e jashtëzakonshme gjithashtu” e cila pikë e sqaron pjesën pse në seancën e jashtëzakonshme është hedhur në votim pika e rendit të ditës, e që mos interesimi i shumicës për të mos diskutuar për këtë pikë të rendit të ditës përveç që është një veprim demokratik është edhe në harmonizim të plotë me ligjin”, ka deklaruar Halilaj.

Ai thotë se sot në media qarkulloi një lajm i pavërtetë dhe i pa përgjegjshëm andaj me bindje të thellë siguron qytetarët e Drenasit se Kuvendi Komunal dhe Qeverisja e Lladrovcit do të bëjë me të mirën për gjatë këtyre katër viteve sa iu është dhënë besimi./Indeksonline/

Temat: