Reagon LDK: Ky është qëndrimi ynë i vetëm ndaj SHBA-ve
Kurse, para disa javësh vet LDK-ja refuzoi kërkesën e Ambasadës së SHBA-së që e njëjta të bëhet pjesë e ekipit gjithëpërfshirës që do të dialogojë me Serbinë në Bruksel.
Portali dje parashtroi pyetje edhe në adresë të partisë, mirëpo as zëdhënësi Besian Mustafa e as nënkryetari Lutfi Haziri nuk u shprehën të gatshëm të deklarohen rreth kësaj çështje.
E, sot partia në fjalë nuk ka hezituar të reagoj ndaj artikullit, duke thënë se LDK-ja është shprehur qartë për miqësi të përhershme me ShBA-në, ka përkrahur dhe përkrah dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, që rezulton në njohje reciproke të dy shteteve sovrane.
Më poshtë reagimi i plotë i LDK-së:
Kosova është në një gjendje delikate prandaj nuk ka nevojë, pavarësisht animeve politike, të dezinformohet opinioni duke bërë krahasime të paqëndrueshme, ashtu si i bëri indeksonline.net se LDK para një muaji refuzoi ShBA-në ndërsa sot akuzon Qeverinë Haradinaj për mos heqje të taksës.
LDK-ja është shprehur qartë për miqësi të përhershme me ShBA-në, ka përkrahur dhe përkrah dialogun për normalizim të mardhënieve me Serbinë, që rezulton në njohje reciproke të dy shteteve sovrane. Ky është qëndrimi i vërtetë dhe i vetëm i LDK-së.
LDK, në këtë legjislaturë është parti opozitare dhe vepron nga opozita në mënyrë pozitive dhe konstruktive në interes të Kosovës dhe të stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
LDK është shprehur se është në përgjegjësinë e koalicionit qeverisës i cili ka vendosur për taksën, të vendosin për fatin e saj. /Indeksonline/