13:55 / E Premte, 25 Shtator 2020 / indeksADMonline

Reagon lideri i parë politik, Haradinaj: S’ka nevojë për operacione e bastisje

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me bastisjen dhe arrestimin e kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

Të nderuar qytetarë,

E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do ta dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vetë të të akuzuarit.

Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë.

U apeloj organeve të drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ikë drejtësisë.

Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë.

Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vetë ishte viktimë e padrejtësive. Vetë UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të së vërtetës dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë!

RH