14:05 / E Enjte, 21 Prill 2022 / B O

Reagon për herë të parë Ronaldo: Faleminderit Liverpool, nuk ju harroj kurrë

Cristiano Ronaldo ditën e hënë dha lajmin e trishtë për të gjithë ndjekësit e tij, teksa njoftoi se njëri nga dy binjakët kishte ndërruar jetë, më saktësisht i biri i porsalindur.

Një moment shumë i vështirë ky për sulmuesin portugez, i cili gjeti mbështetjen e shumë figurave të njohur të botës së sportit, por ajo që emocionoi të gjithë ishte gjesti që bënë tifozët e Liverpool në ndeshjen që “The Reds” po luanin kundër Manchester United.

Në këtë ndeshje edhe pse CR7 nuk ishte prezent, tifozët në minutën e shtatë të takimit filluan duartrokitjet e tyre për të mbështetur ish-sulmuesin e Realit, teksa këndonin këngën “ Kurrë nuk do të ecësh vetëm”.

Po atë ditë, familja e Ronaldos i falënderoi tifozët për këtë gjest, e ndërsa sot, ishte vetë 37-vjeçari përmes një postimi në rrjetet sociale që i falënderoi përzemërsisht tifozët e Liverpoolit.

Ai e publikoi edhe videon e tifozëve, të cilët e harruan rivalitetin dhe e nderuan, respektuan dhe ngushëlluan pesë herë fituesin e Topit të Artë.

“Një botë. Një sport. Një familje globale. Faleminderit, Anfield. Unë dhe familja ime nuk do ta harrojmë kurrë këtë moment respekti dhe dhembshurie”, ka shkruar futbollisti i United.