13:53 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Reagon trajneri i Dritës: FFK bëri padrejtësi të madhe

Gjatë ditës së djeshme, FFK anuloi të gjitha garat e këtij sezoni përveç Superligës dhe ndeshjeve të Kupës së Kosovës.

Te grupmoshat e reja nuk do të ketë lëvizje, asnjë skuadër nuk do të ngjitet e as nuk do të bie nga kategoria.

Për këtë ka reaguar trajneri i KF Dritës U19, Genc Stermaxhaj i cili e ka quajtur të padrejtë dhe diskriminues këtë vendim.

Kjo pasi që skuadra e tij ishte në vendin e dytë në Ligën e parë të kategorisë U19 dhe pretendenti kryesor për tu ngjitur në Superligë.

Ky është reagimi i tij:

Pas vendimit të komitetit ekzekutiv të FFK-së, për fatin e ligave, jemi jashtëzakonisht shumë të zhgënjyer me padrejtësinë e cila na u është bërë neve si klub në këtë rang të garave.

Vendimi nuk ka qenë aspak i barabartë me vendimet e ligave të seniorëve, pasi në të gjitha rangjet, ekipet e kreut janë inkuadruar një rang më lart, ndërsa ky kriter u anashkalua tek mosha e juniorëve.

Unë si trajner i FC DRITA U19, nuk pajtohem aspak me këtë vendim, sepse mendoj se do duhej të ishte i njejtë për të gjithë. Dhe me ketë vendim të padrejtë na u mohua inkuadrimi në superligën e juniorëve, pasi ishim të renditur në vendin e dytë.

Gjithashtu me këtë vendim, u hodh poshtë mundi, djersa dhe angazhimi i lojtarëve, stafit të trajnerëve dhe i të gjithë klubit.

Me këtë vendim ata humbën shpresën dhe motivin e shumë futbollistëve të rinjë duke i anashkaluar, duke mos i vlerësuar, dhe duke marr vendime të pabarabarta me vendimet e ligave të seniorëve.

Përkundrazi, në moshën e 19 vjeçarëve do duhej të bëhej kujdes i veçantë me vendimin e marrë, sepse në ta është e ardhmja e futbollit tonë, dhe kur në çdë vend ku futbolli si lojë është i zhvilluar, ku në rend të parë vihen lojtarët e rinjë duke i motivuar në çdo formë të mundshme, tek ne po ndodh e kundërta!

Në këtë sezon, përveç rezultateve të mira dhe lojës së shkëlqyeshme të futbollistëve, tek juniorët e Dritës u bë edhe një organizim i mirë dhe tejet profesional, madje për dallim nga e kaluara, ne arritëm që të realizojmë edhe fazë përgatitore, poashtu duke rritur edhe vëllimin dhe intensitetin e punës, për t’u përgatitur sa më mirë për një rikthim në elitën e superligës së juniorëve pas 3 viteve të kaluara në ligën e parë.

Prandaj vendimi i pamenduar mirë për këtë rang garash, është humbje e madhe për ne.

Sot më dhimbset mundi dhe shpresa e madhe që kishin lojtarët e mi, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja për të arritur suksesin qe e meritonin. Për mua ata sot janë kampion moral, kampion të angzhimit, të lojës së bukur, të përkushtimit, të djersës, të punës profesionale, të edukatës dhe sjelljeve shembullore. Për të gjitha këto dëshiroj t’i falënderoj nga zemra dhe të ju uroj suksese në të ardhmen, duke shpresuar që herave të tjera mundi i tyre të shpërblehet dhe të vlerësohet drejtë.