Reali dhe Viniciusi e kanë vendosur një datë për bisedimet rreth kontratës së re
Real Madridi dhe Vinicius Junior kanë caktuar tashmë një datë për të vendosur përfundimisht të ardhmen e sulmuesit brazilian, përpara se skuadra të nisë fazën përgatitore për sezonin e ri.
Sipas “AS”, pas përfundimit të Kupës së Botës, përfaqësuesit e të dyja palëve kanë zhvilluar bisedime dhe kanë rënë dakord të takohen në ditët e fundit të korrikut për të finalizuar rinovimin e kontratës. Kontaktet e fundit kanë rritur ndjeshëm besimin se marrëveshja është shumë pranë.
Gjatë diskutimeve, si Vinicius ashtu edhe drejtuesit e Real Madridit kanë bërë të qartë se prioriteti i tyre është i njëjtë: vazhdimi i bashkëpunimit dhe qëndrimi i sulmuesit në “Bernabéu” për shumë vite të tjera.
Braziliani pritet gjithashtu të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në skuadrën e Jose Mourinhos, duke u bërë kapiteni i dytë i ekipit.
Real Madridi tradicionalisht ka preferuar që lojtarët dhe drejtuesit të përfundojnë pushimet verore përpara se të mbyllin rinovimet e mëdha të kontratave, dhe kjo strategji duket se po ndiqet edhe këtë verë.
Për momentin, drejtuesit e Real Madridit duken gjithnjë e më të qetë pas kontakteve të fundit me përfaqësuesit e lojtarit. Në asnjë moment klubi nuk e ka konsideruar shitjen e Viniciusit si pjesë të planeve të tij.
I vetmi skenar që mund ta ndryshonte këtë qëndrim do të ishte mosarritja e një marrëveshjeje për rinovimin para fillimit të sezonit, por të gjitha sinjalet aktuale tregojnë se zgjatja e kontratës do të zyrtarizohet shumë shpejt.

