18:47 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Reçica: Të rinjtë do kenë më shumë mundësi punësimi

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në një intervistë ekskluzive për Indeksonline tregon rreth vendimeve, planeve, si dhe angazhimeve aktuale të MPMS-së në fushat më prioritare siç është punësimi, të rinjtë, kategoritë e dala nga lufta dhe skemat pensionale në vend. Reçica flet rreth vendimeve të fundit, siç është ai për përfitimin e pensionit nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe formimin e komisionit mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I Pari i MPMS-së tregon edhe për reformat në rrafshin ligjor sa i përket dialogut social, reformës  pensionale dhe reformës së Ligjit të Punës dhe fusha tjera të rëndësishme.

Indeksonline: Janë bërë më shumë se dy muaj që kur keni pranuar detyrën si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Na thoni fillimisht se në çfarë gjendje e keni gjetur MPMS-në?

Reçica: Ministrinë nuk e kam gjetur në gjendje të mirë në aspektin e zbatimit të obligimeve ligjore karshi kategorive të ndryshme përfituese të skemave pensionale të financuara nga shteti. Mungesa  buxhetore prej afër 34 milionë euro për pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së, përfituesit nga ligji për paraplegjik dhe tretraplegjik, përfituesit e pensioneve familjare dhe invalidëve të punës ka qenë sfida ime e parë që jam ballafaquar pas marrjes së detyrës. Jemi duke u përpjekur maksimalisht që t’i realizojmë të gjitha këto obligime brenda këtij viti dhe tashmë mund t’i siguroj të gjitha këto kategori se këto probleme nuk do t’i kenë në vitin 2018 sepse të gjitha këto kategori janë futur në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Gjithashtu, edhe në aspektin e Administratës, Ministrinë nuk e kam gjetur në gjendje të cilën kam dëshiruar ta gjej. Raporti i Auditorit flet për të gjetura jo vetëm për këtë vit, por edhe të gjetura të viteve paraprake të cilat nuk janë mbyllur nga Departamentet apo Agjencitë përkatëse.

Indeksonline: Ndër vendimet e juaja të menjëhershme është ai për themelimin e  komisionit mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa jeni optimist në punën që do të bëjë ky komision duke ditur që ka shumë probleme që e shoqërojnë këtë çështje?

 Reçica: Unë, si Ministër, kam pranuar shumë palë në zyrën time për t’i dëgjuar hallet e qytetarëve dhe gjithashtu me ekipën time kemi bërë një skanim të gjendjes në Ministri për funksionimin e saj. Siç dihet, me një vendim të më hershëm është ndaluar aplikimi i invalidëve për pensione invalidore të luftës së UÇK-së dhe aplikimi për pensione të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve civil të luftës së UÇK-së. Tashmë këtë vendim e kemi shfuqizuar dhe përfituesit e këtyre kategorive së shpejti mund të aplikojnë për realizimin e të drejtave të tyre, konform legjislacionit në fuqi. Ne, gjithashtu, kemi marrë një vendim për të formuar komisionin mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidëve të UÇK-së dhe tani jemi në përfundim të procedurave për fillimin me punë të këtij komisioni mjekësor. Ky komision mjekësor që do të formohet do të jetë profesional dhe do të përbëhet nga mjekët specialist të fushave të caktuara.

Indeksonline: Propozimi juaj për caktimin e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është miratuar javën e kaluar në qeveri. Si është pritur ky vendim dhe sa e shihni të rëndësishëm, duke qenë se mbetet një problem i diskutuar ndër vite?

Reçica: Me të marrë mandatin si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, rëndësi të veçantë i kam kushtuar kësaj kategorie të përcaktuar me ligj. Jam shumë i vetëdijshëm se nuk ka kompensim material që i shlyen plagët e këtyre personave, por sado pak dora e shtetit duhet të ndihet tek kjo kategori, që për mua pas dëshmorëve dhe të rënëve të luftës, janë kategoria që e kanë paguar më së shtrenjti lirinë që ne e gëzojmë sot. Ne kemi qenë në kontakt me komisionin qeveritar  për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale si dhe organizatat jo qeveritare, të cilat për shumë vite kanë qenë në krahë të këtyre personave dhe konsideroj se vendimi ynë i javës së kaluar për kompensimin e këtyre kategorive ka qenë shumë i qëlluar dhe është mirëpritur shumë mirë.

Indeksonline: Javë e kaluar, Këshilli Ekonomiko Social (KES) ka mbajtur mbledhjen konstituive me anëtarë të rinj? Cilat janë sfidat më të mëdha sa i përket funksionimit të KES dhe çfarë janë hapat konkret që do të ndërmerren në vijim?

Reçica: Dialogu social si një proces shumë i rëndësishëm për funksionimin e duhur të shtetit në përgjithësi dhe për funksionimin demokratik të qeverisjes në veçanti, përfshin të gjitha llojet e negociimit dhe konsultimit ndërmjet përfaqësueseve të qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve. Në këtë rrafsh, Këshilli Ekonomiko Social, si organ më i lartë i nivelit  nacional të dialogut social, duhet të ketë potencialin për të zgjidhur çështje të rëndësishme ekonomike dhe sociale, për të inkurajuar qeverisjen e mirë, për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin shoqëror dhe për të rritur progresin ekonomik në Republikën e Kosovës. Më ka shqetësuar fakti se Këshillin Ekonomiko Social e kam gjetur gjysmë funksional, një pjesë e komisioneve profesionale nuk kanë funksionuar ose të paktën nuk janë takuar asnjë herë. Duke ditur se KES, për të realizuar dialogun social dhe për të marr vendime për çështje ekonomiko-sociale duhet të bazohet në analizat dhe rekomandimet e komisioneve profesionale, me qëllim që të funksionalizimit të këtyre komisioneve. kam kërkuar nga përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe Qeverisë që të dërgojnë emrat e përfaqësuesve të tyre në këto komisione. Jem dakorduar që pas përfundimit të projekt udhëzimit administrativ për plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativ për kriteret e përcaktimit të pagës minimale në Kosovë të ngarkohet komisioni profesional për financa, ekonomi dhe privatizim, për përgatitjen e një propozimi për përcaktimin e pagës minimale. Jam shumë i përkushtuar që bashkërisht me anëtarët tjerë të KES-it për herë të parë pas vitit 2011 deri në fund të këtij viti Qeverisë t’i propozojmë një vendim për përcaktimin e pagës minimale në Kosovë.

Indeksonline: Papunësia mbetet ndër sfidat më të mëdha në vend, sidomos punësimi i të rinjve. Çfarë masash konkrete parashihen në plan programin për vitin e ardhshëm, sa i përket zbutjes së papunësisë por edhe informalitetit?

Reçica: Punësimi i një anëtari për çdo familje që nuk kanë asnjë të punësuar dhe zvogëlimi i numrit të familjeve në asistencë sociale përmes angazhimit në masat aktive të tregut të punës me fokus vetëpunësimin, ndërmarrësin si dhe subvencionimin e pagave janë prioritet tona kryesore politike dhe programore.

Strategjia Sektoriale për Punësim me Planin e veprimit 2018 – 2022 si dhe Plani i Veprimit për punësimin e të rinjve 2018-2021 të hartuar nga MPMS të cilat pritet te dërgohen në muajin dhjetor për t’u miratuar në qeveri adresojnë qartë sfidat e papunësisë dhe aktivitetet të cilat do të ndërmerren për punësimin e të rinjve. Identifikimi i nevojave të tregut të punës, bashkëpunimi me bizneset vendore, subvencionimi i pagave për një periudhë të caktuar kohore, praktika në punë me pagesë, trajnimi në punë me pagesë dhe aftësimi profesional janë aktivitetet kryesore që do t’i zhvillojmë në kuadër të angazhimit tonë për luftimin e papunësisë. Natyrisht që për të gjitha këto aktivitete do të bashkëpunojmë  me partneret tanë ndërkombëtar siç janë GIZ-i Gjerman, me të cilën së fundmi kemi nënshkruar marrëveshje kooperimi me MASHT dhe GIZ me qëllim të vetëm punësimin dhe aftësimin profesional të të rinjve, e cila bazohet në projektin YES, Youth, Employment and Skills. Kjo është marrëveshja me koston më të madhe që ka lidhur GIZ me institucionet e Kosovës ndonjë herë dhe ka për qëllim punësimin e të rinjve, aftësimin profesional të tyre në bazë të nevojave të tregut të punës, orientimit në karrierë si dhe mbështetjen e të rinjve  të rikthyer nga vendet e jashtme. Përveç GIZ-it do bashkëpunojmë edhe me USAID, UNDP, Bankën Botërore etj. Një bashkëpunim të veçantë do ta kem mes MPMS, MASHT dhe MTI. Gjithashtu, jemi duke bashkëpunuar me LBB (Shoqata e ndërtimtarëve të Bavarisë) dhe tashmë kemi shpallur konkursin për 25 të rinj të cilët do të aftësohen profesionalisht në Gjermani, në lëmin e ndërtimtarisë. Jemi duke biseduar që një bashkëpunim i tillë të ndodhë edhe me shoqatat tjera në Gjermani si dhe me Unionin e Bizneseve Shqiptare në gjermani, që sa më shumë të rinj të aftësohen dhe të kthehen si ekspert jo vetëm në fushën e ndërtimtarisë por edhe në fushat tjera. Sa i përket informalitetit ne do të fokusohemi në fuqizimin e Inspektoratit të Punës, si në aspektin e ngritjes së kapaciteteve po ashtu edhe shtim të numrit të inspektorëve, por ajo që është më e rëndësishme, do të ushtrojmë një mbikëqyrje më të rreptë të Inspektoratit në punën që kryejnë. Thjeshtë, do të kërkojmë që Inspektorati i Punës të realizoj detyrat dhe mandatin, siç është paraparë me ligjin për inspektoratin e punës.

Indeksonline: Problematik mbetet edhe zbatimi i Ligjit të Punës. Si do t’i qaseni ju këtij problemi?

Reçica: Ashtu siç e ceka me lartë, ne do të punojmë shumë në fuqizimin e Inspektoratit të Punës, projekt ligji i ri i Inspektoratit të punës që është duke u hartuar do të na ndihmojë shumë në fuqizimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës, besoj  që ky projekt  ligj deri në fund të këtij viti do të shkoj për miratim në  qeveri, por gjithashtu në vitin e ardhshëm do të fillojmë me reformën për ligjin e punës. Për këtë ne vetëm kemi pranuar një ofertë për një mbështetje teknike edhe nga Banka Botërore me ekspertë më të mirë për ligjin e punës. Por gjithsesi, ligji i punës do të bazohet në dialogun social i cili do të zhvillohet në KES. Ky ligj nuk do të jetë vetëm i përafërt me Acquis Communautaire, por do të transpozohen të gjitha direktivat e BE-së. Ky ligj do të jetë një ligj bashkëkohor, I cili do të rregulloj dhe mbroj të drejtat e punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Indeksonline:  Problemet e shoqërojnë  edhe skemën pensionale në vend siç është çështja e pensioneve të dyfishta që në bazë të ligjit aktual për skemën social, pensionet e dyfishta  janë të ndaluara. Për këtë vazhdimisht ka pasur reagime dhe pakënaqësi. Çfarë është duke bërë MPMS në mënyrë konkrete?

Reçica: Në bazë të ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave pensionale të përcaktuara me ligj nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen dhe administrohen nga MPMS. Për gjatë këtyre ditëve që kur kam ardhur në krye të MPMS jam ballafaquar me kërkesa që lidhen me këtë çështje dhe pas analizimit të situatës, e kam vërejtur se ka të bëjë me shkelje në të drejtën për pension ndaj disa qytetarëve. Prandaj, kemi hartuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Në këtë projekt ligj kemi paraparë ndryshimin që personat përfitues për pensionet kontributive të moshës dhe pensionet bazike të moshës të përfitojnë pension plotësues sipas ligjit në fuqi për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre.

Indeksonline:  Kur jemi tek pensionet, janë tri skema pensionale të cilat nuk po zbatohen, pensionet familjare, invalidore të punës, si dhe ato  tetraplegjikë dhe paraplegjikë. A keni paraparë zgjidhje të këtij problemi në planin qeverisës për vitin e ardhshëm?

Reçica: E ceka edhe më lart me ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti janë paraparë skema të reja si, Pensionet Invalidore të Punës dhe Pensionet Familjare,  për të cilat janë parashtruar  kërkesat që nga muaji Mars 2017 e të cilat  kanë kosto buxhetore.  Po ashtu nga muaji Prill 2017, ka filluar edhe implementimi i Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik dhe se për këtë kompensim janë të pranuara kërkesat, mirëpo shqetësues është fakti që qeveria e kaluar nuk ka ndarë as edhe një qindarkë për të kompensuar përfituesit e këtyre kategorive për këtë vit dhe ne jemi duke u angazhuar maksimalisht që brenda këtij viti të fillojmë me pagesat e para për këto kategori, ndërsa sa përket vitit të ardhshëm duke filluar nga janari ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme  që këta përfitues të mos kenë asnjë problem në përfitimin e pagesave të cekura më lart.

Indeksonline:  Cilat janë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat MPMS i ka në proces si dhe drejt finalizimit dhe me cilat shtete përkatëse?

Reçica: Lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare për sigurimet sociale deri më tani fokusi ynë ka qenë në marrëveshjet për sigurimet sociale me vendet si Zvicra, Austria, Belgjika dhe tashmë marrëveshjet me Zvicrën dhe Belgjikën janë finalizuar nga grupet e ekspertëve dhe pritet vetëm nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve. MPMS ka filluar kontaktet me autoritet Austriake për të riinicuar marrëveshjen për sigurime sociale, mirëpo gjithashtu kemi marrë iniciativën për zhvillimin e negociatave për marrëveshjet sociale me Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi e Maqedoninë. Këto marrëveshje janë shumë rëndësishme për qytetarët e Kosovës ngase u krijojnë lehtësira në pranimin e pensioneve dhe kontributeve të tyre nga këto vende./Indeksonline/