12:14 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Reçica u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për një serë çështjesh

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka qenë në shënjestër të deputetëve gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës. Pyetje dhe nën pyetje të shumta iu bënë atij nga deputetët për një serë çështjesh të rëndësishme që bien në dikasterin që ai drejton.

Deputeti Haxhi Shala i ka bërë një pyetje parlamentare, ministrit Reçica për atë se a janë paraparë hapa për respektimin e të drejtave të punëtorëve në vendet e punës.

Kreu i MPMS-së Reçica ka përmendur disa nga iniciativat që ministria ka ndërmarr për t’u siguruar kushte më të mira punëtorëve, raporton Indeksonline.

“Në strategjinë sektoriale të Ministrisë, dokumentet që janë të bazuara në integrimin evropian dhe MSA, janë paraparë një sërë masash për të garantuar kushtet e punës për punëtorët. Ne si ministri kemi nxjerr disa rregullore vitin e kaluar, që janë në harmoni me disa direktiva të BE-së”, ka thënë Reçiqa.

Sipas tij, siguria dhe shëndeti në punë janë jetike, për çka edhe muajin e kaluar është lansuar fushata vetëdijësuese për sigurinë në punë.

“Në këtë fushatë kemi kërkuar dhe ju kemi përkujtuar punëdhënësve dhe punëmarrësve rëndësinë e zbatimit të sigurisë në punë. Kemi kërkuar nga Inspektorati i Punës të dal më shumë në teren dhe për këtë kemi një numër më të madh inspektimesh në terren. Ka pasur dhe ka vështirësi në zbatimin e ligjit të punës, prandaj kemi iniciuar disa ligje të cilat presim të miratohen, të cilat do të mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe lehonave si dhe do të jenë lehtë të zbatueshëm”, ka theksuar Reçica, duke shtuar se për këtë arsye edhe do të rritet numri i inspektorëve të punës.

Kurse, deputetja Albulena Balaj Halimaj ka pyetur ministrin Reçica se a ka politika për përfshirjen e të rinjve dhe grave në punësim, pasi sipas saj, këto dy kategori prijnë në listën e papunësisë.

Reçica në përgjigjen e tij tha se përfshirja e të rinjve dhe grave në punësim është një çështje serioze në të cilën po punojnë me seriozitet.

“Ka shumë të rinj e gra që po kërkojnë edhe punësim sezonal apo një vend të qëndrueshëm pune. Kemi filluar me masa aktive në tregun e punës, si subvencionim e grande, që do të qojnë në vetëpunësim të qëndrueshëm. Nga janari i këtij viti në aftësim profesional janë përfshirë më shumë se 2 mijë punëkërkues, shumica e të cilave janë femra”, ka potencuar Reçica.

Sipas tij, një nismë tjetër pozitive është edhe punësimi i një anëtari të çdo familje me asistencë sociale që nuk ka asnjë të punësuar deri më tani.

Ministri foli edhe për Panairin e Punës, në të cilin tha se janë ofruar 4 mijë vende pune. Ai theksoi se ministria që ai drejton po mundohet që vendet e paraqitura nga bizneset vendore dhe ndërkombëtare të bëhen realitet.

Një pyetje tjetër, Reçicës ia bëri edhe deputetja Time Kadrijaj, lidhur me keqpërdorimet që komisioni për vlerësimin e shkallës së invaliditetit po e bën.

Sipas saj, ky komision po bën shkelje duke u dhënë statutin e invalidit personave që as nuk kanë luftuar në luftë, e për çka ajo thotë se ka edhe fakte.

Ministri mirëpriti pyetjen, duke thënë se kushdo që ka fakte për shkelje të shkoj në zyrën e tij dhe t’i jap detaje.

“Sapo kam marr mandatin e ministrit kam marr vendim që ky komision të funksionalizohet dhe po ushtron detyrën e tij. Për të qenë sa më i rregullt ky proces, ministria me QKUK ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për një komision me tre specialistë. Ministria menaxhon procesin në aspektin administrativ, kurse vlerësimi profesional është dhe mbetet përgjegjësi e ekipeve mjekësore”, ka thënë tutje Reçica.

Ai ka bërë të ditur se ka takuar disa herë ekipet mjekësore, të cilave ua ka ngritur shqetësimin për sjellje jokorrekte.

“Kam takuar ekipet mjekësore dhe kam ngritur shqetësim për sjellje jokorrekte, të cilëve u kam kërkuar të jenë korrekt me këtë kategori të shoqërisë. Procesi për shkallën e invaliditetit nga ana e ministrisë do të shkoj në rregull, por etika mbetet te ekipet mjekësore”, ka përfunduar Reçica. /Indekosnline/