14:53 / E Hënë, 04 Shtator 2023 / L K

Refuzoi shumë miliona për tu kthyer te Sevilla, Ramos thotë se ia kishte borxh babait dhe gjyshit

Sergio Ramos ka zbarkuar së fundmi në aeroportin e San Pablo, duke zyrtarizuar kthimin e tij te Sevilla.

37-vjeçari, i cili udhëtoi nga Madridi me avion privat, u prit nga Victor Orta, drejtor sportiv i andaluzianëve, i cili më pas do ta shoqërojë për të kryer ekzaminimet mjekësore dhe për të firmosur kontratën, për t’u vendosur më pas në dispozicion të Jose Luis Mendilibar.

Për të arritur rikthimin te Sevilla, Ramos ka refuzuar ofertën prej 20 milionë eurosh në vit nga Al Ittihad dhe ofertë prej 11 milionë eurosh në vit nga Galatasaray. Te Sevilla, Ramos do të përfitoj vetëm 1 milion euro në vit.

Ish-lojtari i PSG-së shpjegoi tha për mediet spanjolle arsyet pse vendosi të rikthehet te Sevilla pas 18 vitesh.

“Po, jam i emocionuar. Është një ditë e veçantë, të shkosh në shtëpi është gjithmonë bukur. Tani duhet të bëjmë testet mjekësore. Kam pritur për disa muaj, por jam i lumtur që kthehem dhe i bashkohem ekipit. Do të kemi kohë për prezantimin, duke dashur të kthehesha në shtëpi nuk kishte kuptim të shkoja diku tjetër pa u ndalur këtu, ishte një borxh që i detyrohesha babait tim, gjyshit tim dhe Puerta-s. Ishte koha për t’u kthyer”, deklaroi Ramos.