15:38 / E Enjte, 31 Mars 2022 / AR

Rekord historik! 91.553 spektatorë në ‘Camp Nou’ për të ndjekur ‘El Clasico’ e femrave

91.553 shikuesit u mblodhën në tribunat e “Camp Nou” mbrëmë për të shijuar ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve për femra ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.

Ky total përfaqëson pjesëmarrjen më të madhe në histori për një ndeshje futbolli të femrave, duke tejkaluar 90.185 tifozët që u mblodhën në finalen e Kupës së Botës 1999 midis SHBA dhe Kinës.

Ishte një ditë festive për tifozët e Barcelonës dhe futbollin e femrave në përgjithësi. Barcelona u zgjua me shi, por më pas moti ishte i respektueshëm si në prag, ashtu edhe gjatë ndeshjes.

Tifozët iu përgjigjën thirrjes së klubit dhe u mblodhën te porta 7 e stadiumit për të mirëpritur autobusët e dy skuadrave, pas mbërritjes së tyre në “Camp Nou”.

Mijëra njerëz, mes tyre shumë gra dhe fëmijë, valëvitnin flamujt dhe shajet duke inkurajuar azulgranet. Ndonëse rreth “Camp Nou” organizoheshin aktivitete të ndryshme, tifozët prisnin në radhë për të hyrë në stadium.

Gjatë ndeshjes, tifozët nuk reshtën së brohorituri dhe inkurajuari lojtaret e tyre. Totali i tifozëve në “Camp Nou” tejkaloi me 1368 spektatorë finalen e Kupës së Botës 1999, e cila deri më tani ishte rekord absolut në një ndeshje futbolli për femra.