10:32 / E Mërkurë, 20 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Rektorët, të indinjuar për gjuhën kërcënuese të ish-ministrit Bytyçi ndaj rektorit Bajraktari

Kabineti i ish- ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyçi i ka dërguar një shkresë të rrallë e të çuditshme rektorit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari.

Me terme që nuk guxonin të dilnin nga zyra e një ministri, kabineti i ish- ministrit Bytyçi e kërcënon rektorin Bajraktari se do ta padisë në gjykatë për vonesën e thirrjes së mbledhjes të Këshillit drejtues.

I shqetësuar për këtë, rektori Bajraktari i është përgjigjur shkresës nga ish- ministri duke garantuar se ka respektuar me përpikmëri ligjet dhe aktet nënligjore.

Lidhur me këtë situatë, rektorët e universiteteve publike kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme ku kanë diskutuar edhe presionin e bërë nga ish- ministri Bytyçi drejt rektorit Bajraktari.

Rektorët njëzëri kanë shprehur indinjatë të thellë për gjuhën kërcënuese të ish- ministrit, ndërsa diskursin e përdorur në shkresë e quajnë për keqardhje./Indeksonline/