18:35 / E Enjte, 22 Korrik 2021 / OSH

Remzi Ejupi: Është meritë ekskluzive e klubeve fakti se vitin tjetër Kosova do të paraqitet me katër ekipe në garat evropiane

Kosova nga sezoni 2022/2023 do të ketë ketë katër ekipe në garat evropiane.

Klubet kosovare do të mund të prezantohen në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, shkruan Indeksonline.

Sipas presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi kjo është meritë e klubeve kosovare dhe invesitorëve.

Në një prononcim për Indeksonline, Ejupi tha se kjo arritje e futbollit kosovar vjen fal punës së madhe që është bërë në klube dhe investimet e shumta që janë bërë.

“Lajmi se futbolli i Kosovës do të përfaqësohet me katër skuadra në arenën ndërkombëtare është tejet pozitiv. Ky lajm vjen falë punës së madhe që e kanë bërë klubet me investimet e shumta që janë bërë në futbollin tonë ndër vite. Ardhja e trajnerëve nga rajoni, lojtarëve më përvojë dhe atyre të huaj e ka ngritur nivelin e ligës dhe kjo është meritë ekskluzive e donatorëve e që sot po shpërblehet me katër skuadra në arenën ndërkombëtare. Më herët edhe Feronikeli, Drita Trepça ’89 janë paraqitur denjësisht në Evropë. Edhe në këtë edicion po dëshmohet se cilësia në futbollin tonë nuk mungon pasi që jemi përballur denjësisht me skuadrat evropiane. Merita të mëdha kanë edhe organizatorët e ndeshjeve me stafet e tyre që e kanë bërë një punë të shkëlqyer derisa kemi pranuar edhe lëvdata për organizimin e ndeshjeve”, u shprehë Ejupi fillimisht.

“Nuk duhet harruar as ata investitor që e kanë ndarë bukën e gojës pas pavarësimit të futbollit tonë në vitet e 90-ta si dhe pasluftës ku deri në pranim në vitin 2016 janë ndarë miliona euro”, tha ai.

Ejupi që është investitori më jetëgjatë në futbollin e Kosovës ndër klubet e Superligës, ka besim të plotë se brenda pak viteve, skuadrat kosovare do ta rritin edhe më shumë nivelin.

“Klubet tona tashmë kanë filluar që ta bëjnë një përvojë edhe në garat ndërkombëtare dhe shumë shpejt jam i bindur se do të arrijmë që të kalojmë më shumë xhiro në Evropë, do të promovojmë talentë si dhe futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme”, pohoi ndër të tjera Remzi Ejupi.

Të drejtë pjesëmarrje në garat evropiane do ta kenë: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në renditjen e Superligës./Indeksonline/