14:13 / E Mërkurë, 28 Prill 2021 / B O

Renault dhe Dacia do të kufizojnë shpejtësinë e veturave të reja në 180 km në orë

Renaulti dhe Dacia do të kufizojnë në mënyrë elektronike shpejtësinë e veturave të tyre të reja, njëjtë siç ka bërë edhe kompania Volvo.

Modelet e ardhshme nuk do të jenë në gjendje të arrijnë shpejtësi më të madhe se 180 km në orë, dhe gjithashtu do të kenë një sistem automatik të kontrollit të shpejtësisë të quajtur “Safety Coach”, i cili do të rregullojë kufirin e shpejtësisë sipas ligjeve lokale, duke marrë parasysh aspekte të ndryshme si rrugën dhe kohën.

Ky vendim u bë i ditur nga drejtori i Grupit Renault, Luca de Meo, në një mbledhje të aksionarëve javën e kaluar.

Më 2002, në autostradën A24 në Gjermani u kufizua shpejtësia në 130 km në orë, ndërkohë që si rezultat aksidentet u ulën për 50 për qind. Në periudhën 1996 – 2002, kur nuk kishte kufizim të shpejtësisë, 1.850 njerëz humbën jetën ose u lënduan në këtë pjesë të autostradës prej 62 kilometrash, kurse pas futjes së kufizimit për periudhë të njëjtë kohore, pra 6-vjeçare, humbën jetën ose u lënduan në aksidente 799 persona.

Volvo kufizoi shpejtësinë maksimale të veturave të saj të reja në 180 km në orë vitin e kaluar.

Kompania u kritikua për këtë, por ajo tha se ishte e gatshme të humbiste klientët e mundshëm nëse vendimi i saj do të shpëtonte jetë.

Në shumicën e autostradave evropiane, shpejtësia është e kufizuar në 130 km në orë. \ motor1