75 Mall Live Search
15:47 / E Hënë, 20 Nëntor 2023 / L K

RENEA merr kontrollin e “Air Albania”, forcat speciale rrethojnë stadiumin

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim për ndeshjen Shqipëri-Ishujt Faroe, e cila do të mbahet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Përmes një njoftimi zyrtar Policia u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve që të zbatojnë urdhëzimet, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, Policia ka bërë me dije se për ndeshjen e sotme janë angazhuar qindra efektivë policie. Nga pamjet e publikuara nga vetë Policia e Shtetit, shihen forcat e RENEAS të cilët kanë bërë kontrolle të imtësishme në stadiumin “Air Albania” si dhe rreth perimetrit të sigurisë.

“Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja “Shqipëri – Ishujt Faroe”, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.

Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit”, njofton policia.