11:31 / E Enjte, 04 Qershor 2020 / indeksADMonline

Reshitaj: Ngritja e komisionit për hetimin e menaxhimit të pandemisë, e domosdoshme

Deputetja e AAK-së dhe kryetarja e Komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Albena Reshitaj, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se është e domosdoshme që të ngrihet Komisioni parlamentar që do ta hetonte menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e kaluar e Kosovës.

Reshitaj, ka thënë se komisioni e ka ndjekur në vazhdimësi menaxhimin e pandemisë.

“Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, si komision funksional i Parlamentit të Republikës së Kosovës, brenda përgjegjësive dhe kompetencave të tij, ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës që kur edhe vendi ynë u përfshi nga pandemia e virusit Covid-19. Nga ajo që kemi parë gjatë tërë kohës, që kur vendi nisi të ballafaqohet me virusin, konsideroj se propozimi për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ish-Qeveria e Republikës së Kosovës është i domosdoshëm”, ka thënë ajo.

Reshitaj ka thënë se shifrat flasin se deri tani në vend kemi 1242 qytetarë të infektuar, të shëruar 871 dhe 31 të vdekur në Kosovë.

Ajo ka bërë një paraqitje të gjatë të momenteve kyçe të menaxhimit të pandemisë.

Më herët në Ministrinë e Shëndetësisë janë hedhur akuza për keqpërdorim të mjeteve financiare gjatë periudhës së pandemisë.