10:51 / E Hënë, 25 Janar 2021 / OSH

Reshjet e shiut shkaktojnë turbullime e reduktime të ujit në disa qytete të Kosovës

Si pasojë e reshjeve të shiut ditët e fundit, janë rritur rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj ato kanë përfunduar sërish te kanali i Ibër-Lepencit, prej të cilit merret uji i pa përpunuar për t’u trajtuar pastaj për konsum (ITUP Shkabaj ).

Ndërsa siç njofton KRU “Prishtina”, është rritur turbullira në atë nivel që bën të pamundur trajtimin e ujit të pijshëm konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.

“Me qëllim që të ruajmë cilësinë e ujit të pijshëm, t’i ruajmë pajisjet teknologjike, jemi të detyruar të zvogëlojmë në minimum prodhimin e ujit nga ky impiant, me ç’rast jemi detyruar të ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët e zonave: Obiliq, Fushë-Kosovë, Drenas dhe lagjja “Kalabria” në Prishtinë”, thekson komunikata e KRU “Prishtina”.

Ndërkaq, theksohet se si pasojë e ndërprerjes së punës në ITUP Shkabaj, edhe disa zona të tjera, në Prishtinë, do të kenë reduktime në periudhën e mesditës dhe gjatë natës, më konkretisht ata të cilët furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit si dhe nga Kodra, për shkak të alternativave teknike për furnizim të zonave më të afektuara nga kjo turbullirë.

Ndërsa theksohet se në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim.