13:33 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / OSH

Revolucion në këtë shtet: Test Covid për 3 euro në çdo barnatore!

Test vetëdiagonistikimi Covid me kosto mjaft të ulët për vetëm 3 euro dhe që  mund të blihet në farmaci për t’u kryer në kushte shtëpie.

Është kjo risia më e fundit që vjen nga Italia e do të aplikohet në formë eksperimentale në rajonin e Venetos, një nga territoret italiane që deri më sot ka regjistruar mbi 100 mjë të infektuar Covid e gati 2000 raste më shumë në 24 orët e fundit.

Ky lloj testimi Covid është një kit i përbërë nga një provetë, një tampon e nga lëngu reagues. 

Tamponi aplikohet në hundë e rrotullohet 5 herë e më pas futet në provetë bashkë me katër pika nga lëngu reagues që brenda pak minutash të jep rezultatin pozitiv apo negativ nga infektimi i virusit Covid 19.

I gjithë ky proces mund të zgjasë jo më shumë se 2-3 minuta.

Ky lloj testimi i shpejtë do të nisë në fazë eksperimentale për banorët e komunave Mestre, Padova, Vincenza, Treviso e Santorso në rajonin e Venetos, shkruan Ora news. Për çdo komunë do të vihen në dispozicion 200 teste të tilla e do të kryehen paralelisht me tamponet tradicionale molekulare. 

Do të jetë një fazë prove për të vërtetuar nëse janë të besueshëm gjatë krahasimi me rezultatin që do të japin dhe analizat e tamponeve laboratorikë.

Nëse kjo fazë do të kalohet me sukses, autoritetet e larta shkencore italiane do të vendosin autorizimin e tyre në tregun kombëtar.

Kjo risi u prezantua gjatë një konference për shtyp nga Guvernatori i rajonit të Venetos, Luca Zaia, i cili e vetë eksperimentoi këtë test të shpejtë para gazetarëve.

“Është një zgjidhje konkrete.Testime të tilla që mund të blihen në farmaci, të vetëdiagonostikohen, kontribojnë në procesin e vetë izolimit” thotë ai.

I pranishëm në konferencën e prezantimit të këtij testi vetëdiagnostikimi, ishte dhe Doktor Roberto Rigoli, nën president i mikrobiologëve italianë e Drejtor i sistemit mikrobiologjik të Trevizos e koordinator i 14 departamenteve të mikrobiologjisë.

“Ishim të parët si rajon që lancuam testet e shpejta Covid e u konsideruam vizonarë në zgjedhjen tonë, e po e njëjta gjë mund të ndodh dhe me këto teste autodiagostikuese, autonome e të shpejta për popullsinë.”