16:25 / E Enjte, 23 Maj 2024 / L K

Rezoluta për Srebrenicën para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nisi debatin për një propozim-rezolutë, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Diskutimet, që do të mbyllen me votim, u hapën nga ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse.

“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt”, tha Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.

Rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”

Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007.

Kush e sponosorizoi rezolutën?

Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.

Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.

Mbështetje për rezolutën, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Dokumenti nxiti reagime të furishme nga zyrtarët e tyre, edhe pse në të nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të tij, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska ofroi, siç tha, një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.

Ai kishte rol Serbia në gjenocid?

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq./rel/