16:07 / E Martë, 13 Prill 2021 / k.v

Rihapet konkursi për kryesues të Bordit të ZRrE/ Kurti i inkurajon profesionistët e fushës që të konkurrojnë

Me miratimin e vendimit nga kabineti qeveritar është anuluar Vendimi, me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Vendimi është arsyetuar se në mesin e kandidatëve të dërguar për votim në Kuvend, ka kandidatë që nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara me nenin 6, paragrafi 2, nën paragrafi 3, të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Lidhur me këtë vendim është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Ne kemi një regullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator.

Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë.

Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi.

Rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita. Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë.