12:40 / E Shtunë, 08 Gusht 2020 / indeksADMonline

Rikthimi i fëmijëve në shkollë! Epidemiologu shqiptar sqaron: A ka rrezik dhe ç’duhet të dimë?

Përmes publikimit në profilin e tij në Facebook për një studim australian, epidemiologu Ilir Alimehmeti –  i cili ka shërbyer më parë si koordinator projektesh në zyrat e OBSH-së në Shqipëri, është lektor në Univesitetin e Mjekësisë dhe shërben si komisioner shkencor në Institutin e Shëndetit Publik – u shpreh se “ka një lajm të mirë për nxënësit”.

“Në shtetin New South Wales të Australisë (popullatë 7.54 milionë banorë), evidentohet se trasmetimi nëpër shkolla është krejtësisht i kufizuar deri më sot. Pse ka rëndësi Australia. Dy arsye: 1) Shkollat janë të hapura që më 29 prill në Australi. 2) Periudha prill-korrik në Australi i përkon stinës së vjeshtë-dimrit. Këto të dhëna mund të informojnë hemisferën veriore mbi çfarë do të ndodhë në vjeshtë-dimër kur të hapen shkollat!” – shkroi ai.

Në vijim të postimit, Alimehmeti publikoi edhe të dhënat e përmbledhura të studimit të Qendrës Kombëtare për Kërkimin dhe Survejancën e Imunizimit të NSW-Australi (NCIRS).

“Periudha e mbuluar nga raporti: 10 Prill – 03 Korrik 2020: 6 individë (4 nxënës dhe dy mësuese) në 6 shkolla të ndryshme ishin raste primare të infektuara me COVID-19; 521 individë (459 nxënës dhe 62 mësues) u zbuluan nga hetimi epidemiologjik si kontakte të ngushta të 6 personave të infektuar; 319 (61.2%) kontakte të ngushta u testuan me RT-PCR (“tamponi”); 44 (8.4%) kontakte të ngushta u testuan me testet serologjike (“antitrupa anti-SARS-CoV-2”); Asnjë nga 521 kontaktet e ngushta nuk u infektua.”

Nëpër komente, të shumtë janë ndjekësit që vënë në dukje se vështirë të bëhet një krahasim midis Australisë dhe Shqipërisë për vetë kushtet ekonomiko-sociale. Një prej tyre vendos theksin te transporti i paorganizuar, te fakti që shkollat nuk kanë mjekë e infermierë apo te mospasja e një kuzhine për ushqim brenda shkollës etj. Këto janë disa prej problematikave, pasi vlejnë të përmenden edhe kushtet higjieno-sanitare apo organizimi i klasave të tejmbushura me nxënës.

Rikthimi i fëmijëve në shkollë! Epidemiologu shqiptar

Në lidhje me këtë problematike, Alimehmeti u shpreh se transmetimi në institucione arsimore mund të qëndrojë i kufizuar vetëm nëse:

“- rritet ndërgjegjësimi komunitar;
– implementohen strategjitë e higjienës dhe të mitigimit;
– qëndrohet në shtëpi kur janë të pranishme simptomat;
– testohet herët dhe kryhet gjurmimi i kontakteve.”