09:24 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Rikthimi i kosovarëve nga “Al Hawl”-i, Makolli: Janë rikthyer 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë

Kosova ka qenë një nga vendet që kanë rikthyer një pjesë të mirë të nënshtetasve të saj, aty ku janë rikthyer 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

I intervistuar nga A2, Fatos Makolli, koordinator kombëtar i ekstremizmit në Kosovë dhe një nga iniciatorët e atij operacioni, thotë se rrethanat tashmë kanë ndryshuar dhe që Shqipëria duhet të presë momentin e favorshëm.

“Rrethanat kanë ndryshuar dukshëm, që kur Kosova ka vendosur të ktheje shtetasit e saj. Kanë filluar dyluftime të ashpra ndërmjet forcave siriane dhe ato turke, ndërkohë që forcat amerikane janë duke u tërhequr, kështu që është gjithmonë e më vështirë organizimi i operacioneve të tilla”.

Sipas Makollit: “Institucionet shqiptare duhet të bashkëpunojnë me partnerët strategjikë dhe të gjejnë momentin e favorshëm për të kryer këtë operacion me sukses”. Kjo në radhë të parë duhet të ketë prioritet siguria e personave në kamp dhe e personelit që kryen operacionin.

Ai , ndërkaq shton: “Forcat demokratike siriane kanë një vit që i kanë bërë ftesë shteteve që të tërheqin qytetarët e tyre, edhe pse ka pasur një lloj rezistence prej vendeve të BE-së në këtë pikë. Kosova është vendi i parë që ka kthyer një numër të tillë, por theksoj se ka qenë një moment më i favorshëm”.