17:02 / E Enjte, 10 Tetor 2019 / indeksADMonline

Rinumërimi i votave pritet të zgjatë 4-5 ditë

Në këto momente ka filluar rinumërimi sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se do të duhet të 4 deri në 5 ditë që të kryhet procesi i rinumërimit.

“Gjatë ditës së mërkurë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 314 vendvotimeve. “

“10 nga këto vendvotime do të rinumërohen plotësisht për shkak se gjatë hetimeve në QNR është gjetur se mungojnë votat e kandidatëve dhe mungojnë disa fletë të formularëve të rezultateve, dhe në disa prej tyre mungojnë nënshkrimet e anëtarëve të Këshillit të Vendvotimit, ndërsa 304 vendvotime të tjera do të rinumërohen poashtu plotësisht, për shkak të një gabimi teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike, që ka bërë që votat e subjekteve të mos shënohen në rubrikën përkatëse dhe si rrjedhojë kemi mospërputhje në mes të votave të subjekteve dhe të kandidatëve. “

“Me qëllim të qartësimit dhe prezantimit të gjendjes së saktë të kutive të votimit, KQZ-ja ka vendosur për këtë rinumërim. “

“Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve saktësia e procesit është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, në mënyrë që çdo votë të respektohet. “

“Sa për të informuar dhe qytetarët – procedura e QNR-së është e tillë që nuk lejon asnjë Formular të Rezultateve të kalojë (të procedohet si i rregullt) nëse nuk përputhen votat e subjekteve me votat e kandidatëve. Kjo do të thotë se nëse subjekti politik nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota apo anasjelltas, atëherë formulari nuk procedohet si i rregullt dhe shkon në auditim. “

“Gjatë auditimit kontrollohen të gjitha këto raste dhe mbi bazën e të gjeturave nga auditimi, QNR-ja rekomandon KQZ-në që vendvotimet të cilat kanë probleme të kësaj natyre të rinumërohen. Kështu ka ndodhur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, ku janë rinumëruar me qindra vendvotime me qëllim të korrektimit të lëshimeve që janë bërë në vendvotim. “

“Vendvotimet që do të rinumërohen i përkasin këtyre komunave: Deçan 14, Gjakovë 14; Gllogoc 16; Gjilan 1; Dragash 4; Istog 1; Kaçanik 15; Klinë 14; Fushë Kosovë 2; Kamenicë 4; Mitrovicë e Jugut 10; Leposavic 1; Lipjan 1; Novobërdë 3; Obiliq 5; Rahovec 14; Pejë 17; Podujevë 17; Prishtinë 42; Prizren 26; Skënderaj 13; Shtime 6; Shtërpcë 3; Suharekë 13; Ferizaj 17; Viti 17; Vushtrri 6; Zubin Potok 1; Malishevë 9; Junik 3; Han i Elezit 2; Graçanicë 2, Ranilluk 1. “, përfundoi Elezi.