10:21 / E Enjte, 23 Mars 2023 / S Z

Risi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës/ Ndërhyrje me metoda kirurgjike laparaskopike në Gjinekologji

Spitali Përgjithshëm i Pejës sjellë risitë e para në Kosovë e rajon, sa i përket metodave kirurgjike laparaskopike në Gjinekologji.

Gjinekologu Dr Musa Krasniqi ekspert dhe novator i njohur në Danimarkë, risitë e veta profesionale operative, po i sjellë edhe në atdhe.

 Musa Krasniqi është i pari gjinekolog në Danimarkë e Skandinavi që përdori për herë të parë e i pavarur largimin e mitres dhe adnexeve (vezorëve e vezëperquesve) me laparaskop në rrugë natyrore (vagjinale).

“Këtë metodë operative dhe metodën operative laparaskopike vetëm me një vrimë (prerje të vogël) prej 2 cm afër kërthizes, po ashtu për largimin e mitres e adnexeve, dr Musai i perdori ( gjatë kësaj jave) me sukses të plotë edhe në Spitalin tonë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.

Në njoftim po ashtu thuhet se pacientja e operuar laparaskopikisht vetëm me një prerje të vogël afër kërthizës është operuar të hënën (20.03.2023) dhe është lëshuar nga Spitali të nesërmen. Ndërsa pacientja e operuar tërësisht nga rruga natyrore (vaginale) po ashtu laparaskopikisht  është operuar dje (21.03.2023) dhe pritet të lëshohet nga spitali sot.

“Në kushtet dhe standardet e Danimarkes shumica pacienteve të  operuara me metoda të tilla lirohen nga spitali në të njëjtën ditë- pak orë pas operacionit. Të gjitha këto metoda të reja, janë më të lehta (me më pak dhimbje pas operacionit) për pacientet dhe si rrjedhojë me të lira për shoqërinë”, thotë Dr. Krasniqi.

Krasniqi po ashtu operon edhe cista ovariale me laparaskopi si edhe të gjitha format e prolapseve vaginale.

Ndryshe dr Musa Krasniqin edhe vitin e kaluar ka sjellë risi në Spitalin e Pejës, sa i përket lëmisë së Gjinekologjisë, duke bërë hysterektomi totale abdominale laparaskopike me tri prerje (porta) të vogla në murin e barkut, metoda të cilat tashme janë tradicionale në vendet e zhvilluara.

“Doktorin tani e kemi përsëri në misionin e tij vullnetar humanitar dyjavor dhe është në gjendje gatishmërie edhe pas orarit ditor në rast të nevojave për laparaskopi akute. Ai po punon e operon me vullnet të paparë në trajtimin e këshillimin e pacienteve si dhe në trajnimin e personelit tonë. Ka bërë edhe termine këshilluese për paciente në  vikend”, thuhet në njoftim.

Për arritjen e metodave të reja operative, doktor Musa Krasniqi perveç që ka siguruar sponzorime, ka blerë pajisje edhe vet e të cilat i ka sjellë në Kosovë, në Spitalin e përgjithshëm të Pejës.

“Ne i jemi mirënjohës pa fund, për gjithë çka që po bënë Dr Musa Krasniqi”, thuhet në njoftim./Indeksonline/