10:03 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Riskedulimi i kredive, udhëzimi nga Banka e Shqipërisë: 7 hapat që do të ndiqen nga bankat

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave të nivelit të dytë  një udhëzim sipas të cilit bankat do të realizojnë procesin e ristrukturimit të kredive pa penalitete nëpërmjet 7 hapave…

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave një udhëzim me 7 hapa se si do të kryhet procesi i ristrukturimit të kredisë. Ky udhëzim erdhi në mbështetje të urdhrit të përbashkët të datës 17 mars të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Kryeministrit Edi Rama, për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasin vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19.

Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se procesi i ristrukturimit ka filluar. Ai u shpreh se bankat, aktualisht po grumbullojnë kërkesat nga individë dhe biznese. Shoqata e Bankave tha se kërkesat janë në zbatim të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, datë 12 mars dhe të urdhrit të përbashkët të Kryeministrit.

Brumbulli tha se bankat po ndjekin me kujdes situatën. Vendimi i Bankës së Shqipërisë nuk bën dallim. Të gjithë kredimarrësit kanë të drejtë të kërkojnë shtyrje të kësteve mars, prill dhe maj. Por bëhet fjalë për miratim vetëm për ata kredimarrës që realisht janë të prekur nga COVID-19 për aftësinë paguese.

Brumbulli tha se, me daljen edhe të instruksioneve nga Banka e Shqipërisë në zbatim të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës, bankat janë të detyruara të hartojnë procedurat e brendshme. Janë përgatitur formularët për aplikim, të cilat gjenden në faqen e internetit të bankës përkatëse, ose sipas udhëzimeve të personelit të bankës në degë. Nga pikëpamja rregullative, procesi konsiderohet i përfunduar dhe tani është zbatimi i tij.

Sipas tij, çdo kredimarrës që për shkak të COVID 19 është prekur në të ardhurat e veta, ka të drejtë të aplikojë dhe të tregojë arsyen. Kryetari i Shoqatës së Bankave thotë se, Kredimarrësi duhet të bisedojë me bankën për të rënë dakord se kur do t’i paguajë këto këste pa penalitete. Pra, nuk ka asnjë penalitet për kredimarrësin. Këto tre këste, ai mund t’i zgjedhë t’i paguajë brenda maturitetit të mbetur të kredisë ose tre muaj më vonë nga data e maturimit të kredisë. Është lehtësi në ngarkesën financiare të kredimarrësit.

Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3 muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti.