18:26 / E Martë, 20 Shtator 2022 / k.v

​Rizvanolli: Me rikthimin e bllokut A3, i kemi edhe rreth 125 megavat tjera në sistem

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se kriza këtë vit në nivel të Evropës është shumë e rëndë.

Derisa u ka bërë thirrje konsumatorëve për kursim, ajo theksoi se dimri do të jetë i paparashikueshëm.

Pas vizitës së termocentralit “Kosova A”, ajo ka konfirmuar kthimin e bllokut “A3”, për çka u shpreh se ditëve të para të tetorit pritet të kthehet në funksion edhe blloku “A4”.

Rizvanolli ka bërë të ditur se sonte në mbledhje të qeverisë do të merret vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri.

Pas vizitës në termocentralin “Kosova A”, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me kthimin në funksion të bllokut “Kosova A” janë shtuar edhe 125 megavat në sistem.

“Aktualisht i kemi dy blloqe të termocentralit ‘Kosova B’ , secili me nga 255 megavat dhe sot me rikthimin edhe të A3 i kemi edhe rreth 125 megavat tjera në sistem. Gjatë ditëve të kaluara kemi pasur mungesa në orë të caktuara deri në 200 megavat, në orët kur konsumi është më i lartë. Dhe mungesa ditore rreth 1800 megavat orë gjatë ditës. Kryesisht mungesat janë zakonisht prej orës 08 në mëngjes deri në 10 të mbrëmjes. Këto mungesa gjatë ditëve të kaluara janë mbuluar nga ndihma nga Shqipëria me marrëveshjen e këmbimit me Shqipërinë. Mirëpo, për sot dhe nesër Shqipëria nuk ka pasur mundësi për shkak të kushteve atje. Andaj rikthimi i A3 bëhet pikërisht në kohën e duhur për të na mundësuar që të mos importojmë apo mos të kemi importimi”, ka deklaruar Rizvanolli.

E pyetur se a janë të pashmangshme reduktimet e energjisë elektrike, ministrja Rizvanolli tha se bazuar në çmimet e tregut të javës së kaluar, tregon se do të jetë e vështirë.

Ajo ka folur edhe për parashikimet për sezonin dimëror, ku theksoi se pas luftës në Ukrainë pritjet do të jenë se do të jetë fazë e vështirë.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kriza sivjet në nivel të Evropës është shumë më e madhe, shumë më e rëndë se sa ka qenë në vitin e kaluar. Përderisa vitin e kaluar si rezultat i rritjes së kërkesës në periudhën pas pandemisë ka shkaktuar rritje të çmimeve në treg, sivjet jemi në një situatë shumë më të rëndë ku për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga ana e Putin-it, kemi mungesa në treg duke përfshirë edhe ndaljen e gazit, e të cilat e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm dhe gjithashtu e bëjnë të qartë se dimri do të jetë i vështirë jo vetëm për ne por për tërë Evropën”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka njoftuar se në mëngjes është kthyer blloku “A3” dhe pritjet janë që së shpejti të kthehet edhe blloku “A4”.

“Ne u befasuam për së miri sot kur dëgjuam në mëngjes që blloku A3 është kthyer, falë punës së pa ndalur edhe gjithë natës dhe gjithë ditës të punëtorëve dhe udhëheqësve të njësive. Për këtë jemi pafundësisht falënderues…Njësia A4 pritet që të kthehet në operim më së largu deri në fillim të ditëve të para të tetorit. Mirëpo, punëtorët dhe udhëheqësit janë duke bërë gjithçka që është e mundur në mënyrë që edhe kjo kohë të shkurtohet edhe më tej, siç është shkurtuar edhe koha e kthimit të A3, ku fillimisht ka qenë e paraparë që të kthehet në funksion pas dy ditësh, mirëpo pas një pune gjatë gjithë natës së punëtorëve, punëtorët kanë arritur ta kthejnë atë në operim sot”, ka njoftuar ministrja Rizvanolli.

Po ashtu, ajo ka njoftuar se ka kërkuar nga KEDS që të bëjë maksimumin për ndalimin e vjedhjes së energjisë.

Ministrja e Ekonomisë foli edhe për negociatat me vendet tjera për import të energjisë elektrike.

“Ne kemi pasur diskutime në nivel politik me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Me Republikën e Maqedonisë dhe Bullgarinë janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë negociatat në nivel teknik të operatorëve për të marrë mundësitë qoftë për këmbim, apo blerje… Aktualisht nuk kemi (marrëveshje).. Jo nuk e kemi, siç e thash, Maqedonia ka qenë në negociata deri para disa ditësh, nuk e di nëse është përfunduar një marrëveshje e tillë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa kryetari i Bordit të KEK-ut, Skender Haziri ka njoftuar për hapjen e tenderit për qymyrin ku theksoi se janë hapur ofertat.

“Për aq sa kemi informata janë hapur ofertat. Është në proces të vlerësimit të ofertave. Vlera minimale e një ton qymyri, vlera prag në të cilën KEK-u pret të marrë është 30 euro për një ton. Ndërsa, kemi të bëjmë me një sasi prej 100 mijë tonëve që i bie që 3 milionë euro do të jetë përfitimi i KEK-ut, mirëpo cila do të jetë vlera të cilën kompania do ta fitojë, kjo do të varet prej procesit të vlerësimit”, ka deklaruar ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se sot në mbledhjen e qeverisë do të merret vendimi për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri.

Ajo ka thënë se javëve në vijim do të merren edhe masa të tjera të cilat nxisin qytetarët që të përdorin forma të tjera të ngrohjes në vend të energjisë elektrike.

“Do të ndërmarrim dhe kemi ndërmarrë edhe disa hapa të tjerë. Një vendim i rëndësishëm i cili pritet të merret sot pas disa orësh në mbledhje të qeverisë është ndalimi i eksportit të peletit dhe lëndëve tjera djegëse me bazë druri, duke qenë se e kemi analizuar situatën në treg dhe kemi parë që ka një rritje të çmimeve që nuk arsyetohet me rritjen e kostos së prodhimit. Dhe nga ana tjetër kemi një mungesë peleti në treg në krahasim me vitet e kaluara dhe në krahasim me nevojën. Andaj si hap i parë kemi vendosur që të ndalojmë eksportin e peletit dhe lëndëve djegëse të tjera me bazë druri. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pritet që shumë shpejt të sjell në qeveri dhe pastaj në kuvend për ratifikim, Ligjin për Produktet Esenciale-rregullimin e çmimeve të produkteve esenciale në të cilën është përfshirë edhe peleti”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli tha se Kosova varet prej nivelit të prodhimit të KEK-ut dhe ndikimit nga çmimet e importit. Derisa ka përmendur masat që janë marrë për kursimin e energjisë në sektorin publik, u ka bërë thirrje qytetarëve që të veprojnë në këtë formë.