18:22 / E Martë, 30 Prill 2024 / MSH

Rizvanolli për projektin me MCC-në: Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë!

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë.

I njëjti është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje me rëndësi për shtetin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se programi është dizajnuar dhe përgatitjet intensive kanë përfunduar me sukses.

“Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë!… Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjtë e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës” ka thënë mes të tjerash Rizvanolli.

Ky është njoftimi i plotë i saj:

Që sot hyn në fuqi programi Kompakt me MCC-në i cili vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë.

Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë!

Sapo nënshkruam marrëveshjen e hyrjes në fuqi të programit me Cameron Alford, Zëvendëspresident në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Programin e kemi dizajnuar dhe përgatitjet intensive i kemi përfunduar me sukses së bashku ekipet e Kosovës e të MCC-së, në një partneriteti të shkëlqyeshëm.

Ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojmë infrastrukturën kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohemi që – të parët në rajon – të rinjt e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës.