14:41 / E Martë, 23 Mars 2021 / OSH

“Robi plaket kur do vetë” ja doktori 97-vjeçar që nuk heq dorë nga profesioni!

István Körmendi shërben prej 70 vjetësh si doktor familjeje në Budapest.

Në moshën 97-vjeçare, ai është doktori më i vjetër i Hungarisë.

Apartamentin e kthyer në klinikë e trashëgoi nga i ati, nga i cili edhe mësoi ta praktikonte mjekësinë.

“U rrita duke parë babain si punonte. Atëherë nuk kishte klinika publike. Përpara dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, mësoja fshehtas, sepse hebrenjve u ndalohej hyrja në universitet”, thotë doktori.

Për shkak të origjinës hebraike, Körmendi paragjykohej si student dhe në 1944-n iu nënshtrua punës së detyruar. 

Gradën e doktorit e mori 6 vjet më vonë dhe pas punës fillimisht me fëmijët, fitoi edhe pozicionin e mjekut të përgjithshëm.

“Mes pacientëve të mi është një 70-vjeçare, të cilën e trajtoj që kur ishte fëmijë”, thotë Körmendi.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe në Hungari janë reduktuar vizitat te mjeku dhe janë kufizuar kontaktet personale.

Doktori 97-vjeçar thotë se nuk e parapëlqen marrëdhënien  elektronike me pacientët.

“Situata që ekziston tani kam frikë se, për arsye komforti, do të zgjasë edhe pasi të ikë Covidi. Kjo mund të reduktojë cilësinë e trajtimit mjekësor, sepse doktorët nuk duhet ta neglizhojnë kontaktin personal me pacientët”, tregon doktor Körmendi.