09:44 / E Premte, 08 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Rondon ndëshkon Bostonin në sekondën e fundit, fitojnë edhe Toronto e Oklahoma

Një kosh në sekondën e fundit nga ana e Rajon Rondo i dha fitoren skuadrës së Lakers, që mposhti 129-128 Boston në fushën e këtij të fundit. Një takim mjaft emocionues dhe dramatik në fundin e tij, pasi të dyja ekipet dueluan fort për fitoren, duke dhuruar spektakël në fushë.

Për Boston, Irving realizoi 24 pikë, ndërkohë që 63 pikë u realizuan nga lojtarët e stolit, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Për Lakers u dallua LeBron James me 28 pikë, mbështetur nga Kuzma me 25, ndërkohë që 7 lojtarë të ekipit kalifornian realizuan mbi 10 pikë.

Skuadra e Torontos vijon të shkëlqejë në Lindje, duke mposhtur edhe Atlanta, me rezultatin 119-101. Ndeshje me dy pamje, më e mirë për Atlantën në të parën, ndërsa në të dyta janë kanadezët ata që dominojnë dhe fitojnë falë 33 pikëve e 14 rebound të Siakam si dhe 30 pikëve të VanVleet.

Zhgënjen skuadra e San Antonio, që u mund 127-118 nga Portland, sfidëe dominuar nga Blazers. McCollum realizoi 30 pikë, mbështetur edhe nga Lillars me 24 pikë e Nurkic me 22. Nuk dështon skuadra e Oklahomës, që mundi 117-95 Memphis, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Thunder.

Paul George realizoi 27 pikë, ndërsa Grant 20. Vijon të mos i ndahet “triple double” Russell Westbrook, që e mbylli ndeshjen me 15 pikë, 13 rebound e 15 asist. humbasin Clippers, që u ndalën 116-92 nga Indiana (Bogdanovic 29 pikë).

NBA – Rezultatet e sotme

Indiana – Clippers, 116-92

Orlando – Minnesota, 122-112

Atlanta – Toronto, 101-119

Boston – Lakers, 128-129

Oklahoma – Memphis, 117-95

Portland – San Antonio, 127-118