75 Mall Live Search
17:57 / E Hënë, 18 Maj 2026 / L A

Rooney i thotë Slotit që mos ta ftojë fare Salahun, për ndeshjen e tij të fundit në “Anfield”

Mohamed Salahu nuk duhet të jetë “as afër ‘Anfieldit’” gjatë ndeshjes së fundit të sezonit të Liverpoolit, sipas Wayne Rooneyt, i cili beson se lojtari duhet të lihet jashtë planeve të Arne Slotit të dielën.

Javën e kaluar, pas humbjes 4-2 të Liverpoolit ndaj Aston Villas, një Salah dukshëm i frustruar publikoi një postim shpërthyes në rrjetet sociale që vazhdon të bëjë bujë.

Në një deklaratë me tone të forta, 33-vjeçari dukej se kritikonte stilin e lojës së Arne Slotit, ndërsa kërkonte që Liverpooli të rikthehej te “futbolli heavy metal sulmues që kundërshtarët e frikësohen”.

Ai shtoi: “Ky është futbolli që di të luaj dhe ky është identiteti që duhet të rikthehet dhe të ruhet përgjithmonë. Nuk duhet të jetë i negociueshëm dhe çdo lojtar që bashkohet me këtë klub duhet t’i përshtatet”.

Salahu, i cili ka shënuar 19 gola në të gjitha garat këtë sezon, premtoi gjithashtu se do të luftojë për ta siguruar Ligën e Kampionëve në ndeshjen e tij të fundit me klubin.

Por pyetja mbetet – a do të përfshihet egjiptiani në ndeshjen e së dielës kundër Brentfordit?

Wayne Rooney beson se Salahu duhet të lihet jashtë skuadrës së Arne Slot për lamtumirën në “Anfield” pas shpërthimit të tij publik.

“Më duket e trishtë në fund, pas gjithçkaje që ka bërë dhe arritur te Liverpooli. Nuk ishte momenti që ai të dilte publikisht dhe të godiste sërish Slotin,” tha Rooney në emisionin “Wayne Rooney Show”.

“Ai dëshiron futboll heavy metal, kështu që praktikisht po thotë se dëshiron futbollin e Jurgen Kloppit. Unë nuk mendoj se Mo Salahu mund ta përballojë më atë lloj futbolli. Besoj se këmbët e tij nuk janë më për atë ritëm dhe intensitet të lartë”, shtoi anglezi.

“Nëse do të isha Arne Sloti, nuk do ta lejoja as t’i afrohej stadiumit në ndeshjen e fundit,” vazhdoi Rooney.