22:50 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Rrecaj beson se të akuzuarit nga Specialja do të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë

Avokati Tahir Rrecaj konsideron se Kosova nuk ka nevojë për ndihmën e EULEX-it për arrestimin e personave, të cilët eventualisht do të kërkoheshin nga Gjykata Speciale e Hagës.

Rrecaj, duke folur në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova ka kapacitete të arrestojë personat e akuzuar nga Specialja, të çfarëdo profili qofshin ata.

“Ne kemi një përvojë jashtëzakonisht të mirë të gjykimit të rasteve për krime lufte. Kemi rastin e zotit Haradinaj qe vet është lajmëruar. Kemi edhe rastin e Fatmir Limajt. Pastaj kemi rastin e Sylejman Selimit, Sami Lushtakut e të tjerëve. Të gjithë kanë bashkëpunuar në mënyrë vullnetare me organet e drejtësisë dhe asnjë seancë nuk është shtyrë për shkak të mungesës së tyre”, tha ai.

Rrecaj tha se bashkëpunimi i tyre me organet e drejtësisë ka qenë një shembull dhe që na bën optimist edhe për të ardhmen.

“Unë besoj se të gjithë ata persona, të çfarëdo profili qofshin, e që do të jenë subjekt i akuzave për krime të luftës në Hagë, do të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe me Gjykatën Speciale. Kështu janë deklaruar edhe të gjithë liderët institucionalë”, tha Rrecaj.