11:00 / E Premte, 07 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kajtazi: Një grup i njerëzve po mundohen të ngjallin panik e të pavërteta rreth punës së Speciales

Pronari i portalit Insajder, Vehbi Kajtazi  në emisionin ‘Radio Urban FM’ me Arientin Abdylin, ka thënë se ka përpjekje nga njerëz të caktuar që të ngjallin panik dhe të pavërteta rreth punës se Gjykatës Speciale.

Sipas tij, ka informata që janë siguruar aktakuza, lista me emra e dokumente, mirëpo, këto janë vetëm për të krijuar panik në opinion rreth punës së Speciales, raporton Indeksonline.

“Ka pas informata kinse janë siguruar aktakuza dhe lista. Kanë thënë se kanë dokumente e aktakuza që po provojnë me ua shitë t ëakuzuarve të ndryshëm, kinse na po ndihmojmë. Është një listë prej 103 personave që e kanë përgatitë, kanë shkruar për ta. Mirëpo, po përpiqen të ngjallin panik, të pavërteta në opinion rreth punës se Speciales. Për mu është lajm i rëndësishëm nisja e punës se Speciales. Besoj se Specialja do të jetë vendimtare edhe në ndryshimet politike që po ndodhin në Kosovë”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka shtuar se ftesa e komandantit Remi nga Gjykata Speciale është se ai ka përgjegjësi lidhur me disa veprime të paligjshme.

“Sa i përket Mustafës, ai ka pasur proces gjyqësor edhe me herët. Gjykata Speciale ka një mandat që kur ka dëshmi, mundet me hapë rast të ri. Është gjykuar më herët për periudhë të luftës, tash e kemi periudhën gjysmën e vitit 99 dhe komplet vitin 2000. Krimet më të rënda janë ato të pasluftës, që kanë të bëjë me sulme, vrasje të kundërshtarëve politik.  Fakti që ai është ftuar nga Gjykata, kjo tregon se ai ka përgjegjësi. Ka përgjegjësi për disa veprime të paligjshme që kanë ndodh. Është një njeri i pasur,për një periudhë të shkurtër me u pasuru kaq shumë është e palogjikshme”, ka shtuar ndër të tjerash Kajtazi./Indeksonline/