12:29 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

Rrëfimi i kosovarit të cilit para 19 vitesh, ia vranë krejt familjen (Video/Foto)

31 maji i vitit 1999 ishte i kobshëm për një familje nga Studimja e Vushtrrisë. 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu u vranë për një ditë nga serbët. Shumica nga ta fëmijë. I vetmi që mbeti i gjallë nga kjo familje është Nexhmedin Gërxhaliu. Ai shpëtoi se qëlloi të mos ishte në Kosovë, por jashtë vendit.

Por, në këtë masakër që cilësohet si njëra më e tmerrshmja gjatë luftës në Kosovë, Nexhmedinit iu vranë bashkëshortja, djali, nëna, vëllai me bashkëshorte dhe gjashtë fëmijët e tij.

Ata u varrosën nga fqinjët e tij ndërsa kur u kthye pas luftës i ka takuar vetëm në varreza.

Sot bëhen 19 vjet nga vrasja e tyre dhe Nexhmedini kujton me dhimbje më të dashurit, të cilët kishte mbetur pa ua dhënë edhe lamtumirën  fundit. Malli për ta sa vjen e shtohet, teksa kujton bisedën e fundit që e kishte pasur me nënën e tij, Salën.

Nëna e tij ia kishte shprehur shqetësimin për fatin e djalit tjetër Selatinit që ishte ushtar i UÇK-së. Por nuk e kishte menduar se edhe vet ajo do të vdes për një ditë me të.

“Me nanën kom fol së fundi në telefon. Tha: ‘’Nanë ti po don me mbet pa vëlla, unë pa djalë’. Që shkojnë komplet familja atë nuk e ka menduar askush. Vëllai ka qenë i veshur, është edhe dëshmor. Por fatin e kishin pas të atillë me shku të gjithë bashkë”, rrëfen Nexhmedin Gërxhaliu bisedën e fundit me të ëmën më 30 maj të vitit 1999, shkruan KP.

Të nesërmen Nexhmedini që gjendej në Holandë kishte mësuar për vrasjen e familjarëve të tij, ndonëse deri kur ka ardhur në Kosovë kishte shpresuar se bëhej fjalë për ndonjë gabim dhe se dikë do ta gjejë të gjallë.

Por, atij askush nuk i doli ta pres në rrugë, përveç motrave të martuara.

“Përkujtim i rëndë. Shumë i rëndë. Ditën e nesërme kam dëgju unë. Kam marrë lajmin tragjik. A ke besu, nuk kam besu, ndonjë kam me e gjet, por fati kish qenë i atillë që të gjithë kishin shkuar. Kam ardhur me shpresë prej atje, por asnjë se kam gjet. Kam mendu se kam me e gjet një”, tregon Gërxhaliu.

Familja Gërxhaliu u vra në shtëpinë e tyre, duke mos i kursyer as fëmijët e vegjël. Më i vogli ishte 7 vjeç ndërsa më i madhi vetëm 15 vjeç. Ai u ekzekutua bashkë me babanë e tij në sokak, ndërsa tjerët u vranë në dhomën ku për çdo ditë kanë shtruar sofrën.

Gërxhaliu shprehet i zhgënjyer edhe për faktin se thotë se dihen emrat e atyre që kryen masakrën, ndërsa shton se vizitat e tilla verifikuese nga hetuesit janë bërë vetëm sa për formalitet.

“Kanë ardhur thuajse çdo vjet. Po a kanë bë diçka, s’kanë bërë kurrgjë. Veç pyet, verifiko, provoko a po ndryshohen fjalët, kurrgjë tjetër. Vitin e kaluar këtu erdhën. Iu thash ‘për me pi kafe hajdeni kur të doni, për me m’vet kurrë mos hajdeni se nuk po bëni kurrgjë’. Kështu që hala nuk dihet kurrgjë. Tek na nuk dihet kurrgjë. E dinë njerëzit kush ka qenë, por para drejtësisë nuk ka dalë hala askush”, thotë ai.

Edhe pse më nuk jeton në shtëpinë ku iu kishte masakruar familja, Nexhmedini, i shoqëruar nga motra dhe vajza e cila ka lindur pas luftës pasi që Nexhmedini është rimartuar,  shpeshherë viziton vendin ku ata u vranë.

Ai mban të vendosura fotografitë e më të dashurve të tij , ndërsa mban të gjallë shpresën që shtëpinë një ditë do ta kthejë në muze.

“Procedura është në komunë. Me ndihmën e kryetarit të ri ndoshta kemi për të ecë përpara. Mandatin e kaluar deri tek Komisioni për Zhvlerësim ka ardhur dhe aty u blloku puna, nuk kemi ecë përpara. Kam bisedu me kryetarin, ka thënë që është iniciativë e mirë. Të shohin çka po bëhet”, tregon  ai.

Sipas tij, periudha e vitit 1999  ishte e pa kohë. Teksa shton se po të përsëritej, sërish do të jepnin gjithçka që kanë për Kosovën.

Familjarët e vrarë të Nexhmedin Gërxhaliut janë: Sala Gërxhaliu (1925), Sofie Gërxhaliu (1963), Safer Gërxhaliu (1991), Selatin Gërxhaliu (1950), Fexhrije Gërxhaliu (1960), Sabahudin Gërxhaliu (1992), Abdurrahim Gërxhaliu (1989), Mexhid Gërxhaliu (1988), Muharrem Gërxhaliu (1985), Shaban Gërxhaliu (1985), dhe Shahin Gërxhaliu (1984).