14:24 / E Premte, 31 Maj 2019 / indeksADMonline

Rrëfimi i presidentit të Romës, del me letër publike

“Më vjen keq për gabimet që kam bërë, një nga këto rezultoi shumë i rëndë në nivel sportiv. Ishte pa diskutim një nga gabimet më të mëdha që kam bërë në karrierën time dhe duhet të marr përgjegjësi. Problemi nuk ishin shitjet, por blerjet, i lashë shumë pavarësi Monchit dhe nuk duhet ta bëja”.

James Palotta flet nga Bostoni dhe e bën duke dërguar një letër të gjatë, ku shpjegon çdo koncept, çdo diskutim dhe projektet e tij, duke vulosur qëndrimin te verdhekuqtë: “E quaj të turpshme që qindra tifozë kanë ofenduar motrat e mia duke i quajtur kur*a! Prostitura apo dosa! Në të ardhmen, do të jem më shpesh në Romë, kam gabuar këto muaj dhe dua të ndërtoj një ekip fitues. Këto 18 muaj nuk kanë qenë aspak të lehtë. Nuk do të iki nga Roma”.

Më pas, pronari dhe presidenti verdhekuq, sqaron të vërtetën e hetimit të “Repubblica” mbi raportin De Rossi-Totti dhe largimin e kërkuar për Di Francesco: “Kam lexuar disa kalime të shkrimit dhe ishte ora 5 e mëngjesit… i quajta “budalliqe”. Pasi lexova të gjithë artikullin dhe pasi pata edhe një bisedë telefonike me gazetarin që shkruajti artikullin, bëra unë gabim, sepse disa kalime të hetimit ishin të vërteta. Kërkoj ndjesë”.

“Por, ka shumë të pavërteta, si puna e Di Francescos. S’është e vërtetë që lojtarët erdhën te unë për të kërkuar largimin e tij. Ata e donin. De Rossi-Totti? Ka pasur fërkime, por janë sqaruar. Më mirë që ka kontradikta, sepse vetëm ashtu mund të arrihet maksimumi. Nuk më pëlqejnë “yes man”, pra ata që vetëm urdhërohen dhe pranojnë”.

Palotta foli edhe për fair play financiar dhe akuzoi Milanin: “E di që disa klube nuk e morën seriozisht Fair Play Financiar, siç bëmë ne. Eshtë zgjedhja e tyre. E lajmërova me Milanin disa vite më parë, kur dallova atë që po ndodhte dhe kisha të drejtë. Njerëzit më thanë që nuk kisha të drejtë, por tani Milani po hetohet dhe rrezikon ta dënojnë. Ne nuk mund të marrim rreziqe të tilla”.

“Salah e shitëm sepse kërkoi vetë të shkonte në Premier, ndërsa Alisson solli shumë para për fair play. Kurrë nuk kam futur në xhep asnjë qindarkë nga Roma, as rrogë nuk marr. Vetëm kam dhënë, si 100 mln euro për stadiumin që ende nuk ka nisur…”.