22:29 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Rrëfimi rrënqethës i ish-ushtarit të UÇK-së: Do t’i shes pjesët e trupit e të ikë nga ky vend!

Elmi Hoti nga Rogova e Hasit ishte vetëm 17 vjeç kur rroki armët për të luftuar kundër armikut serb, pa e ditur nëse një ditë mund ta gëzonte lirinë.

Ai madje shquhej për trimëri dhe të gjithë e njohin si ‘Gulinovi’, emër ky që i mbeti pikërisht nga lufta, pasi që ai nga Shqipëria deri në Kosovë rrezikoi jetën duke bartur në trupin e tij një gulinov.

Pavarësisht traumave që i la lufta, Hoti ndihej krenar që kontribuoi për atdheun e tij, por sot ai është shkatërruar shpirtërisht, pasi që emri i tij u pa në listat e veteranëve mashtrues.


Ish-ushtari i UÇK-së thotë për Indeksonline se asnjëherë më shumë s’është ndier kaq i ofenduar dhe se pas kësaj fyerje që iu bë atij dhe shokëve të tij të luftës, ai thotë se do t’i shes organet e trupit dhe të ikë nga Kosova.

“Kam qenë pjesë e tri uniformave të luftës dhe më pas kam bartur edhe uniformën e TMK-së. Kam luftuar në Kosovë isha vetëm 17 vjeç, më pas në Preshevë e Maqedoni. Atëherë nuk kam menduar që po e bëj për pagesë, por për ideal. Lista ku figuron emri im si veteran mashtrues më ka prekur në shpirt dhe ma ka lënduar dinjitetin”, shprehet Hoti.


Ish-komandanti i skuadrës në “Brigadën 126” shton tutje se lufta e la me pasoja dhe që nga atëherë ai as nuk jeton si duhet.

“Jam i shkatërruar komplet emocionalisht nga lufta, ma shumë pi ilaçe për qetësim nga depresioni dhe ankthi se sa ha bukë. Por do t’i shes edhe pjesët e trupit dhe do të ik nga ky vend nga turpërimi që na u bë. Por ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune, siç e bëmë kur ishte nevoja’, përfundon Hoti.

Për lirinë që ne e gëzojmë sot, luftoi edhe Muhamet Jetish Ahmeti, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Drenicës.

Njësoj si edhe Hoti, edhe Ahmeti është shprehur të jetë i indinjuar me listat e veteranëve mashtrues që u publikuan dy ditëve të fundit.

Ai shprehet për Indeksonline se është shokuar kur ka parë emrin e tij.

“Reagimi im ka qenë i pa koment. Kur veteranët fallco nuk i kamë parë në këtë listë, por i kamë parë veteranët e vërtetë. Jam ndi tepër i fyer”, tregon Ahmeti.
Ish-ushtari tutje shton se sot ka qenë edhe në Prokurorinë Speciale për t’u ankuar.

“Sot kam qenë në Prokurorinë Speciale. Horë e rezil i kam ba. Deri sa ka dal komunikata për media, aty kam qenë. Nuk ia kam lëshuar derën”, përfundon ai.

Reagime të shumta sot ka pasur edhe nga politikanë kosovarë, ish-ushtar të UÇK-së e qytetarë të shumtë.

Pas aktakuzës së Prokurorisë dhe emrat që u publikuan se bëjnë pjesë në listën e veteranëve mashtrues, reagim ka bërë edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së, degët e Dukagjinit. Ata kanë kërkuar ndaljen e kësaj tendence të rrezikshme e antihistorike sipas tyre e kundër Luftës Çlirimtare, pasi që pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar sot nga institucionet e drejtësisë që të hetojnë deri në fund listat e veteranëve./Indeksonline/