75 Mall Live Search
14:43 / E Enjte, 12 Shtator 2024 / S Z

Rrëfimi rrëqethës i së përdhunuarës gjatë luftës: Na kanë ndarë në klasa të shkollës, bashkë më nënën e motrat

Në konferencën internacionale të Medica Gjakova, ku u publikua raporti mbi pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, një nga të mbijetuarat ka ndarë historinë e saj rrëqethëse, raporton Ekonomia Online.

E mbijetuara, identiteti i së cilës nuk u tregua, ka treguar se si, kur ishte vetëm 11-vjeçare, atë, nënën e motrat e saj, sikurse shumë vajza e gra të tjera, i kanë ndarë në klasa të shkollës.

Ajo ka thënë se kanë mbetur të mbyllura për tri ditë në atë shkollë e se ende e mban në mend, edhe pse vetëm 11 vjeçe, ajrin e pastër kur ka dalë jashtë saj.

“Paramendojeni një vajzë të vogël 11-vjeçare e cila nuk e kupton botën. Unë se kam ditë se çka është lufta. E kam pa frikën e nanës dhe të tjerëve, e kolonat e gjata dhe e kam kuptu se çfarë ka ndodhur”.

“Na kanë çu në një shkollë dhe na kanë thënë të presim aty. Kur filluan me na marrë e me na fut në shkollë, përsëri unë se kam kuptu se çka po ndodhë me ne. Na kanë nda nëpër klasë dhe aty në një klasë e kam përjetuar tmerrin, bashkë me motrat dhe nënën. Unë s’kam pas fuqi me i ndalë, po as të tjerat që ishin më të mëdha se ne. Në shkollë na kanë lënë për tri ditë me rend, bashkë me shumë të tjera”, ka thënë ajo.

Te enjten, Medica Gjakova ka publikuar raportin mbi pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë, “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, bazuar në dëshmitë e 200 të mbijetuarve të dhunës së seksualizuar, prej tyre 191 gra dhe 9 burra. Hulumtimi është fokusuar në pasojat psikologjike, fizike dhe sociale të viktimave të dhunës së seksualizuar.

Hulumtimi ka zbuluar se 86% e të mbijetuarve kanë stres post-traumatik, ose të thjeshtë ose komplekse, 96% e tyre kanë nivele të larta ankthi e mbi 70% kanë deklaruar se pas luftës jeta e tyre nuk ja vlente.