13:48 / E Enjte, 13 Gusht 2020 / indeksADMonline

Rregullat e reja për hyrjen në Gjermani për partnerët e pamartuar

Qeveria Federale Gjermane njofton se partnerët e pamartuar mund të hyjnë në Gjermani nga vendet e treta, të cilat nuk janë në listën “e sigurt” – përfshihet këtu edhe Shqipëria e Kosova – për vizita afatshkurtra te partneri që jeton në Gjermani (gjermanët, shtetasit e BE-së ose shtetasit e vendeve të treta me të drejtën e qëndrimit në Gjermani).

Nëse personi në fjalë nuk ka pasaportë EU apo vizë gjermane, duhet të përmbushen kushtet e mëposhtme:

Çifti është në një marrëdhënie / partneritet afatgjatë dhe të dy partnerët janë takuar personalisht në Gjermani të paktën një herë, ose çifti ka një vendbanim të mëparshëm të përbashkët në një vend tjetër deri vonë , transmeton albinfo.ch.

Dokumentet e mëposhtme duhet të paraqiten për hyrjen në Gjermani si dëshmi:

1) Një ftesë nga personi që jeton në Gjermani, si dhe një kopje e dokumenteve të identitetit të personit që lëshon ftesën,

2) Një deklaratë për ekzistencën e marrëdhënies, të nënshkruar nga të dy partnerët dhe duke përfshirë detajet e kontaktit të të dy partnerëve,

3) Dëshmi të tjera të përshtatshme për takimet e mëparshme personale, në veçanti pullat e pasaportave, dokumentet e udhëtimit / biletat e fluturimit ose një vendbanim të përbashkët në një vend tjetër; mund të sigurohen edhe dokumente shtesë siç janë fotot, postimet në media sociale, korrespondenca postare / emaili etj.

Pavarësisht nga kriteret e theksuara më lart, vendimi nëse lejohet hyrja është në diskrecionin e Policisë Federale Gjermane në kufi, thotë njoftimi zyrtar i shtetit gjerman.

Të gjithë udhëtarët duhet të ndjekin ende kërkesat e karantinës së shtetit përkatës federal të Gjermanisë, thuhet në njoftimin zyrtar te Qeverisë Federale Gjermane.