75 Mall Live Search
10:07 / E Mërkurë, 04 Shtator 2024 / MSH

Rrënojat e një fshati grek shfaqen pas thatësirës së një dige

Rrënojat e një fshati grek, që qëndronte i zhytur në ujë për dekada, janë rishfaqur pasi temperaturat e larta shkaktuan tharjen e pjesshme të një rezervuari të madh.

Banorët e fshatit Kallio u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre më shumë se 40 vjet më parë, për t’i hapur rrugë digës Mornos në Greqinë Jugore, e cila furnizon me ujë kryeqytetin.

Megjithatë, kushtet e thatësirës në muajt e fundit bënë që nivelet e ujit të rezervuarit të bien në mënyrë dramatike, duke zbuluar se çfarë kishte mbetur nga disa shtëpi dhe një shkollë, shkruan BBC-i, transmeton Indeksonline.

Është hera e dytë që nga braktisja e Kallios që fshati shihet, sipas një ish-banori.

Hera e parë ishte në vitet e 90-ta, gjatë një periudhe tjetër thatësie.

“Ju shihni katin e parë që ka mbetur nga shtëpia dykatëshe e vjehrrit tim… dhe pranë tij mund të shihni se çfarë ka mbetur nga shtëpia e kushërinjve të mi”, tha për AFP Yorgos Iosifidis, një pensionist 60-vjeçar që jetonte në Kallio.

Fshati përbëhej nga rreth 80 shtëpi, një kishë dhe një shkollë.

Nivelet e ujit të rezervuarit Mornos kanë rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit për shkak të kushteve të thatësirës në Greqi.

“Nëse nuk do të bjerë shi së shpejti, niveli do të bjerë më tej dhe problemi do të jetë më i mprehtë se sa ishte atëherë”, tha Iosifidis.

Greqia përjetoi qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar dhe operatori shtetëror i ujit EYDAP tha se nivelet e ujit në digën e Mornos ishin ulur për 30%.

Rezervuarët e tjerë që furnizojnë me ujë rajonin e Atikës, që përfshin Athinën, kanë regjistruar gjithashtu një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit.

Me uljen e nivelit të rezervuarëve, autoritetet greke u kanë bërë thirrje 3.7 milionë njerëzve që jetojnë në rajon të mos e shpërdorojnë ujin.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi këtë javë se Greqia duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur burimet ujore.