21:40 / E Shtunë, 06 Janar 2018 / indeksADMonline

Rreth 1200 raste të dhunës familjare gjatë 2017-tës në Kosovë

Nga janari e deri në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje. Policia thotë se vitin që lamë pas janë evidentuar më shumë raste të dhunës në familje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Edhe organizatat joqeveritare thonë se dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur.

Sevdije Berisha nga Peja më 17 nëntor të vitit 2017 gjeti vdekjen pasi u godit me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Por, Sevdije Berisha nuk është rasti i vetëm i dhunës në familje e cila ka pësuar me fatalitet. Janë edhe pesë viktima tjera të vdekura si pasojë e dhunës në familje.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës nga janari deri në fillim të dhjetorit të vitit që shkoi  janë evidentuar rreth 1196 raste.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për RTK se në vitin 2017 kanë evidentuar më shumë raste të dhunës në familje me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Ka të evidentuara raste më shumë të dhunës në familje krahasuar me periudhën e njëjtë dhe nëse i referohemi shifrave që ne i posedojmë të rasteve të evidentuara në Policinë e Kosovës mund të themi se nga janari deri në fillim të dhjetorit të këtij viti janë evidentuar diku rreth 1196 raste të dhunës në familje, ndërsa prej këtyre rasteve janë të proceduara në Prokurori 1134 raste dhe një numër i tyre diku prej 56 rasteve janë ende nën hetime”, tha ai.

Aktivistja e Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë, Adelina Berisha tha se dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, por ajo shqetësues e sheh faktin që statistikat nuk e tregojnë tërësisht realitetin.

“Statistikat tregojnë që dhuna në familje është mjaftë e shprehur në shoqërinë kosovare dhe në format më të ashpra të mundshme do të thotë e kemi parë sidomos dy muajt e fundit i kemi pasur dy vrasje si pasojë e dhunë në familje, kështu që këto statistika dhe i tërë realiteti neve na shqetëson shumë ende më shqetësues është fakti që statistikat nuk e tregojnë tërësisht realitetin në fakt ne besojmë që numri i viktimave dhe  i personave që përjetojnë dhunë në familje është edhe më i madh se ky që është paraqitur tek institucionet”, tha ajo.

Sipas një hulumtimit të bërë nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës në vitin 2015 del se 68 përqind të viktimave të dhunës në familje janë gratë, ndërsa 56 për qind e burrave kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë në familje.