75 Mall Live Search
15:02 / E Shtunë, 16 Mars 2019 / indeksADMonline

Rreth 17 milionë euro në vit përfiton Serbia nga mosanëtarësimi i KOSTT-it në rrjetin energjetik evropian

Mosanëtarësimi në rrjetin energjetik evropian(ENTSO) i ka shkaktuar Kosovës humbje rreth 300 milionë euro që nga paslufta, mjete këto të cilat i ka përfituar Serbia. Kjo po e pengon edhe funksionalizimin e linjës 400kV Kosovë- Shqipëri që nga viti 2016.

Serbia për çdo vit përfiton nga 17 milionë euro, për shkak të mos njohjes së Kosovës, në rrjetin energjetik evropian.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Hamdi Malushaj thotë për KosovaPress se përveç humbjeve të mëdha materiale, Kosova nuk po arrin ta shfrytëzoj interkonjeksionin 400 kilovoltësh me Shqipërinë që ka kushtuar 33.5 milionë euro, prej tyre 45 përqind janë kredi të cilën e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë – KOSTT.

Malushaj thotë se për mos anëtarësimin e Kosovës në ENTSO, fajtore është edhe Qeveria e Kosovës.

“Është rreth 17 milionë euro në vit të hyra për Serbinë, të hyra direkte ose humbje direkte nga ana jonë. Efekti sekondar është shumë më i madhe.Energjia pothuajse është shkaktar i ngecjes së zhvillimit ekonomik. Humbja e besimit në Kosovë ka ardhur përmes stagnimit në zhvillimin e energjisë.  Anëtarësimi në këtë institucion (ENTSO) lë të dyshohet në aktivitetin tonë, ngaqë Serbia ka lobuar në mos interesimin tonë”, thotë Malushaj.

Zyrtarë të KOSTT-it thonë se mos implementimi i marrëveshjes për kyçje me ENTSO , e bllokuar nga pala serbe po e pengon edhe funksionalizimin e linjës 400kV Kosovë- Shqipëri që nga viti 2016.

Elvane Devexhi zyrtare për media në KOSTT tha për KosovaPress se humbjet nga mos shfrytëzimi i interkonjeksionit me Shqipërinë janë 1 milion euro në vit, por varen nga niveli i kërkesës së tregtarëve për kapacitetin e linjës për tregtim ndërkufitar të energjisë.

“Sipas vlerësimeve tona varësisht nga kërkesat për tregtim nga alokimi i kapaciteteve në këtë linjë të hyrat nga alokimi i kapacitetit mund të sillen rreth 1 milion në vit”, tha  Devexhi në një përgjigje elektronike.

Devexhi ka treguar se financimi i projektit i cili është përuruar në vitin 2016, Kosovës i ka kushtuar 33.5 milionë euro, 45.52  përqind kredi, 44.18 përqind grant dhe 10.30 përqind  financimi nga KOSTT.

Po ashtu edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë po tregon se nga mos shfrytëzimi i interkonjeskionit me Shqipërinë, Kosova po humb miliona euro dhe po ka probleme për kthimin e kredisë.

Udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, Ymer Fejzullahu tha se linja është finalizuar në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çdo vit është një kosto rreth 5 milionë euro që konsumatorët e energjisë elektrike paguajnë për një marrëveshje që është arrit me Shqipërinë, dhe sipas tij, ato mjete janë ndarë prej konsumatorëve për shkak të problemeve politike të mos zbatimit të marrëveshjes së Brukselit nga pala serbe. 

“Për herë të parë prej themelimit të KOSTT si operator në 2006, kemi pozitë financiare negative për shkaqe politike, sepse është realizuar me mbështetje e Bashkimit Evropian,  por në të njëjtën kohë edhe KFË-së një kredi, dhe tash ne nuk mundemi mt’i inkasojmë  mjetet prej kësaj linje. Ne mundemi me funksionalizuar. Ne veç kemi filluar procesin, kemi hyrë në kredi edhe kemi vështirësi në kthimin e kësaj kredie. Sot isha në Komisionin Evropian një prej shqetësimeve është edhe prej tyre”, tha Fejzullahu.

Ndërsa, zyrtarja për media në KOSTT, Elvane Devexhi thotë se pasojat e mos implementimit të marrëveshjes për kyçje KOSTT/ENTSO , po vazhdon t’i shkaktojë dëme financiare KOSTT-it, pasi që operatori serb EMS vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave interkonektive të Kosovës me shtetet fqinje. /Indeksonline/