75 Mall Live Search
21:30 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / B XH

Rreth 600 seanca hemodialize për pacientë nga jashtë vendit

Klinika e Nefrologjisë gjatë periudhës së verës ngarkohet edhe më shumë nga pacientët me hemodializë, që vijnë nga jashtë vendit. Gjatë kësaj periudhe realizohen rreth 600 seanca hemodialize për pacientë që vijnë nga jashtë Kosovës.

Valdrin Elshani jeton në Austri. Ai është në trajtim me hemodializë tash e 16 vjet. Sa herë që vendos t’i kalojë pushimet në Kosovë, pranë familjes së tij në Drenas, ai sigurohet paraprakisht që të rezervojë seancat e nevojshme të trajtimit.

Kërkesa për këto shërbime nuk vjen vetëm nga bashkatdhetarët. Klinikat që ofrojnë hemodializë në Kosovë pranojnë gjatë gjithë vitit edhe pacientë nga vende të ndryshme të botës.

Gjatë periudhës janar–dhjetor të vitit 2025 kanë qenë 95 pacientë të cilëve u janë ofruar mbi 500 seanca të hemodializës. Pacientët janë bashkatdhetarë nga diaspora si dhe pacientë të huaj”, tha dr. Mimoza Ukimeraj, drejtoreshë në Klinikën e Nefrologjisë.

Sipas drejtuesve të klinikës, gjatë një viti realizohen rreth 600 seanca hemodialize për pacientë që vijnë nga jashtë Kosovës. Para pranimit, pacientët duhet të dorëzojnë dokumentacionin mjekësor dhe të koordinojnë paraprakisht terminet e trajtimit.

“Për pacientët e jashtëm, përveç seancave të hemodializës, ofrojmë edhe shërbime në Klinikën e Nefrologjisë dhe konsulta ambulantore në ambulantën specialistike”, tha dr. Fatime Memeti Smaili, nefrologe.

Pacientët e huaj që nuk kanë shtetësi të Kosovës dhe posedojnë sigurime shëndetësore e paguajnë shërbimin fillimisht, ndërsa më pas shpenzimet u rimbursohen sipas politikave të siguruesve të tyre shëndetësorë.

Ndërkohë, qytetarët që kanë shtetësi të Kosovës dhe e dëshmojnë atë, pavarësisht se jetojnë në diasporë, marrin këtë shërbim pa pagesë.