09:31 / E Hënë, 16 Maj 2022 / MSH

Rrëzohet ashensori i spitalit të Tiranës, lëndohen dy persona

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, mbrëmë ka ndodhur një aksident.

Ashensorit të spitalit, gjatë kohës kur po shfrytëzohej nga një pacient dhe punonjës shëndetësor, i është këputur një nga litarët, duke bërë kështu që ashensori të rrëzohet në katin e nëndheshëm -1.

Lëndime në kokë ka pësuar pacientja, një grua rreth të 80-tave, teksa lëndime trupore ka pasur edhe punonjësi shëndetësor.

Ndërkohë detaje mbi rastin ka dhënë edhe policia e Shqipërisë.

“Më datë 15.05.2022, rreth orës 23:30, në spitalin “Nënë Tereza”, në katin -1, barrelisti shtetasi K. D., duke transportuar me barrelë shtetasen V. C., paciente në spital, për shkak të një defekti janë bllokuar brenda në ashensor. Me ndërhyrjen e zjarrfikëses është bërë e mundur hapja e ashensorit. Shtetasi K. D. dhe pacientja, shtetasja V. C., janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes” thuhet në njoftimin policor.

Në një nga komisariatet policore të Tiranës është dërguar personi përgjegjës për mirëmbajtjen e ashensorëve në QSUT i cili është marrë në intervistë.