15:29 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

Rriten dënimet ndaj të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi

Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur sipas ankesave,  në çështjen e të akuzuarve R.G., V.Gj., K.B., A.G. dhe V.B, të dyshuar në vrasjen e policit, Shemsi Gashi.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 30.11.2018, është ndryshuar sa i përket cilësimit ligjor  të veprave penale për disa nga ta si dhe vendimit mbi dënim.

Të akuzuarit R.G. për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rendë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, i është zbutur dënimi nga 25 vjet në 22 vjet e 6 muaj burgim.

Ndërsa të akuzuarve  tjerë të këtij rasti, dënimet u janë rritur në masë të konsiderueshme.

Kështu, të akuzuarit  V.Gj.,  i cili është shpallur fajtor për veprat  penale  “vrasje e rëndë” dhe  “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” i është rritur dënimi nga 8 vjet burgim në 14 vjet e 6 muaj.

Dënimi u është ashpërsuar edhe tre të akuzuarve tjerë K.B., A.G. dhe V.B.  të cilët janë gjetur fajtor për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

K.B. nga 5 vjet sa ishte dënuar nga gjykata e shkalles së parë, është dënuar më 10 vjet burgim nga ana e Gjykatës së Apelit. A.G. nga 3 vjet e 10 muaj, dënimi i është rritur në 8 vjet. Ndërsa V.B nga 5 vjet e 6 muaj në 11 vjet e 6 muaj, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/