Rritet çmimi i bukës në Prizren
Çmimi i bukës dhe miellit është rritur në qytetin e Prizrenit.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.COM, Shemsi Baldedaj, pronar i furrës “Besi”.
“Po është e vërtetë që është rritur çmimi i bukës për 10 centë, nga 30 sa ka qenë tash është bërë 40. Po ashtu është rritur edhe çmimi i miellit e shumë produkteve të tjera”, tha Baldedaj.
Po ashtu, Shemsi Baldedaj tha se në rritjen e çmimit ka ndikuar masa e vendosur për produktet që vijnë nga Serbia.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, para dy javësh i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Por, kjo masë përjashton produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Vetë ministri Shala tha para pak ditësh se nuk beson se do të rritet çmimi i grurit dhe i produkteve të tij, edhe pse e pranoi se importi më i madh i grurit dhe miellit bëhet nga Serbia.