21:49 / E Enjte, 20 Janar 2022 / SH F

Rritja rasteve me Covid-19, cilat do të jenë masat e reja dhe çfarë efekti ka ora policore

Pas mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me pandeminë në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se priten të merren masa të reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë po shqyrton masat e reja anticovid.

Në mesin e këtyre masave do të jetë edhe shkurtimi i orarit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, apo siç njihet ora policore.

Por që ajo të kthehet nga ora 22.00 deri në mëngjes po e sheh të panevojshme ish-drejtori i Policisë, njëherësh deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, që shton se tash kur është dimër ashtu-kështu qytetarët nuk dalin jashtë pas orës 22.00.

“ Kjo është e panevojshme. Në këtë kohë të ftohet edhe ashtu qytetarët nuk dalin nga shtëpitë. Mbyllja nuk është zgjidhe në këtë kohë, e as ora policore nuk kryen punë”.

Ndërsa edhe qytetarët po theksojnë se kufizimi i lëvizjes së lirë është i pakuptueshëm meqë tashmë janë mësuar të bashkëjetojnë me pandeminë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka dhënë detaje se çka në fakt po diskutohet dhe propozohet nga ky trup institucional.

”Disa prej propozimeve kanë të bëjnë me kufizimin e orarit të lëvizjes, ku deri tani kufizimi ka qenë prej orës 24.00 deri në ora 05.00 të mëngjesit, e ky orar mund të zgjatet për dy orë. Kjo nënkupton automatikisht që edhe sektori i gastronomisë duhet ta shkurtojë orarin e punës .”Stafi joesencial do të kryejë punë nga distanca, përjashtuar atyre esencial që do të detyrohen të dalin në vendin e punës, e kështu do të jenë disa masa që do ta vazhdojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit”.

Ja çfarë masash u propozuan në komitetin për vlerësimin e situatës me COVID-19, në Kosovë

Edhe  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkua përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë Kurti – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.

Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.

Nga publikimi i raportit ditor nga Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit një person ka humbur jetën dhe kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 2 mijë e 708 persona të tjerë.

Deri më tani sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID e kanë marrë rreth 44 mijë qytetarë, ndërkaq dozën e tretë rreth 4 mijë qytetarë.

Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në ora 05:00.

Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.

Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve. Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.995 persona kanë vdekur. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar./IndeksOnline/.