06:44 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Rrjetet e marketeve vetëm 10 % produkte vendore

Në një hulumtim të Organizatës për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) të kryer bashkë me Institutin Riinvest është konstatuar se në rrjetet e qendrave tregtare të mëdha në Kosovë produktet vendore janë të pranishme vetëm 10 për qind.

Sipas hulumtimit, për plasimin e produkteve në raftet e tyre supermarketet e mëdha kërkojnë nga prodhuesit vendorë depozita fillestare nga 1.000 deri në 5.000 euro, shumë kjo e cila bllokohet për një periudhë kohore që mund të zgjasë deri në një vit.

Ndonjëherë në hulumtim tregohet që supermarketet u kërkojnë prodhuesve të ofrojnë zbritje të çmimeve, vetëm për të qenë pjesë e fletushkave të tyre promovuese, duke kërkuar prodhime më të lira për 30 për qind.

Prodhuesit janë të pakënaqur me hapësirën që u jepet nëpër raftet e marketeve, ndërsa pronarët e marketeve akuzojnë prodhuesit për mungesë kreativiteti.

Edhe raportet mes prodhuesve vendorë dhe shitësve me pakicë nuk janë duke shkuar si duhet.

Në disa raste për produktet e reja shitësit me pakicë kërkojnë furnizim falas, si dhe produktet me afat të skaduar ata duhet t’i kompensojnë me produkte me afat të ri, tregohet në hulumtim.

Prodhuesve, sipas hulumtimit të PPSE-së dhe Riinvestit, shpesh edhe u vonohen pagesat për produktet e shitura, duke shkaktuar ngecje në prodhim.

Hulumtimi konstaton se prodhuesit nuk ankohen për shkeljet që u bëhen nga shitësit, edhe pse në Kosovë me ligj rregullohet raporti mes tyre, ngase frikësohen se shitësit do të ndërprejnë kontratat dhe bashkëpunimin me ta.

Ndërkaq shitësit me pakicë u kanë thënë organizatave që bënë hulumtimin se prodhuesit duhet të jenë më kreativë sa i përket marketingut dhe promovimeve të paketimeve të reja për prodhimet e tyre.

Shitësit kanë kërkuar që prodhuesit vendorë produktet e tyre t’i paketojnë sipas shijes së blerësve e të mos kopjojnë paketimet e importit.

Për shitësit, prodhuesit vendorë kanë mungesë të intelegjencës së tregut dhe nuk janë të vetëdijshëm  për nevojat dhe dëshirat e klientëve.

Në hulumtim tregohet edhe sa janë të pranishme në tregun kosovar produktet vendore të llojeve të ndryshme, krahasuar me prodhimet nga importi.

Prej produkteve të qumështit vetëm 25% e tyre janë produkte vendore, pemë dhe perime vendore në rafte të shitësve gjejmë vetëm 25%, sektori i tekstilit ka vetëm 5% produkte vendore, teknologjia 5%, përderisa mjetet higjienike janë të plasuara 5 deri në 10%.

Tashmë prodhuesit vendorë kanë klubin e tyre për të zhvilluar politika të reja në treg, për të rregulluar marrëdhëniet prodhues-shitës, për të rishikuar dhe forcuar ligjet e tregtisë së brendshme dhe ligjet e prodhimit.

Klubi i Prodhuesve Vendorë nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Kosovës duke përfituar një zyrë në Kryeministri me ekspertë të fushës së prodhimit të cilët do të marrin vendime sa më të mira për të rregulluar gjendjen e prodhuesve vendorë në treg.

Hulumtimi i publikuar  nga PPSE dhe Instituti Riinvest nuk përmban elementin kryesor e që është çmimi i tregut- konsumatorët në supermarkete kanë mundësi që produktin e importuar ta blejnë me çmim më të lirë sesa produktin vendor.

Për këtë çështje foli drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve Vendorë Astrit Panxha në konferencën e organizuar për prezantimin e këtij hulumtimi.

“Nuk don të thotë se raporti i publikuar i paraqet të gjitha mangësitë, është e vërtetë se disa produkte të importuara janë më të lira, kjo tregon se neve na mungon forcimi i ligjit të prodhimit dhe ligjit për tregëti të brendshme”, tha Astrit Panxha.

Ai tregoi si depërtojnë produktet e importuara në treg.

kemi raste kur një produkt i importuar nënvlerësohet nën koston e prodhimit vetëm  për të depërtuar në tregjet tjera, po ashtu mungon edhe kontrolla nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës, më shumë ka kontrollë cilësia e produkteve vendore se sa e produkteve të importuara, gjithashtu mungon edhe kontrolli i Agjencisë së Konkurrencës për të rregulluar qështjet e çmimeve” tha Panxha.

KALLXO.com dhe Jeta në Kosovë disa herë kanë raportuar dhe kanë debatuar për problemet që i kanë prodhuesit vendorë si në procesin e prodhimit po ashtu edhe në procesin e plasimit të produkteve vendore.

Kosova vazhdimisht përballet me bilanc tregtar negativ– 90 për qind e të cilit është import e vetëm 10 për qind eksport./kallxo.com