12:33 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Rrjeti i Grave të Kosovës reagon për dënimin e ulët ndaj burrit që vrau gruan dhe vajzën

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar kundrejt vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës për të dënuar me 24 vite burgim, Pjetër Nrecajn për vrasjen e bashkëshortes dhe të bijës në gusht të këtij viti.

Sipas RrGK-së, Kodi Penal i Kosovës, përkatësisht neni 179 e përcakton që personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmiut, dënohet me burgim të përjetshëm.

Po ashtu, ato kanë përmendur si faktin që personi në fjalë ka pasur edhe historik kriminal para vrasjes, përkatëisht me disa raste të dhunës në familje.

“Në kohën kur shoqëria po alarmohet nga rritja e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe kur të vetmen shpresë e kemi drejtësinë dhe përgjegjësinë e organeve të rendit dhe sigurisë, RrGK shprehet e shqetësuar nga lajmi për dënimin e ulët, prej 24 vjet heqje lirie, që iu shqiptua Pjetër Nrecajt për vrasjen e ish bashkëshortes dhe vajzës, shto këtu edhe armëmbajtje pa leje

Neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmiut, dënohet me burgim të përjetshëm.

Ju rikujtojmë se vrasja kishte ndodhur në Berkoc të Gjakovës, ku vrasësi pasi që fillimisht kishte kërcënuar përmes telefonit viktimën grua të moshës 40 vjeçare, kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe aty e kishte vrarë atë dhe vajzën e saj 9 vjeçare. Vrasësi kohë më parë ishte mbajtur në paraburgim (maj 2018) për ushtrim të dhunës në familje ndaj të ndjerës, për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Policia e Kosovës ka qenë në dijeni për historikun e tij prej krimineli, përderisa gjykata e kishte liruar pas një muaji mbajtje paraburgim. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dënimi minimal për këtë vepër penale është 3 muaj deri në 5 vjet burgim.

Lirimi i tij qysh atëherë, ka dërguar në vrasjen e gruas dhe të vajzës. RrGK beson, që në rast se i njejti do të ishte dënuar paraprakisht, sot nuk do të shkruanim këtë reagim dhe një grua e një fëmijë do të ishin në jetë. Në ditën e vrasjes, e ndjera kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që i kishte pranuar nga tashmë vrasësi i saj, por siç u raportua në media, policia kishte dështuar ta kontaktoj atë.

Institucionet e drejtësisë gjithmonë deklarohen se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Fatkeqsisht ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar.” thuhet në reagimin e RrGK-së.

Ndryshe, Gjykatësi Gëzim Pozhegu, sot në seancën gjyqësore tha se në këtë burgim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim./Indeksonline/