15:33 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Rrobat dhe artefaktet e personave të zhdukur transferohen në lokacion të ri

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Ministrisë së Administratës Publike, kanë filluar me transferimin e seteve të para të rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur.

Transferi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për në lokacionin e ri të caktuar nga Ministria e Administratës Publike, po bëhet me qëllim të evitimit të dëmtimit të mëtutjeshëm të këtyre rrobave dhe artefakteve të gjetura së bashku me mbetjet mortore të personave të zhdukur, nëpër varrezat masive dhe individuale, të jashtëligjshme.

“Lokacioni i ri i caktuar nga Ministria e Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, është përgatitur në përputhje me rekomandimet e prezantuara nga eksperti i angazhuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si përkrahës i këtij projekti. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, po ashtu, ka angazhuar edhe dy vullnetarë të Kryqit të Kuq të Kosovës, me qëllim të përgatitjes, në kuptimin e pastrimit, rievidentimit dhe risistemimit të rrobave dhe artefakteve që janë duke u bartur për në lokacionin e ri”, thuhet në njoftim të Komisionit.

Gjatë kësaj jave, janë transferuar ‘70 setet e para të rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur, të identifikuar’, të cilat janë dorëzuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përkatësisht Komisioni i themeluar nga IML.

Ndërsa pritet që të vazhdohet edhe në javët në vijim me bartjen edhe të rrobave dhe artefakteve tjera, tashmë të gatshme për t’u transferuar.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ka shpjeguar se ‘projekti që do të vazhdojë në dy faza, e që nënkupton bartjen e të gjitha rrobave dhe artefakteve që gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për në lokacionin e ri, është një zgjidhje e përkohshme, deri në krijimin e kushteve për një zgjidhje afatgjate, e që do të ishte vendosja në muzetë apo eventualisht në ndonjë Kompleks Memorial që do t’i dedikohej çështjes së personave të zhdukur dhe në përgjithësi viktimave të luftës’./AktivPress